ZPS: Drenica pika qendrore e aktivitetit të hershëm të UÇK-së, çfarë pretendohet se ndodhi atje?

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në dosjen e saj përfundimtare për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke elaboruar argumentet e veta për secilën zonë ku ka vepruar UÇK-ja, ka thënë se ajo e Drenicës ishte pika qendrore e aktiviteteve të hershme të saj në vitet ’90.

Prokuroria thotë se më 1991 Adem Jashari organizoi aksionin e parë të armatosur kundër forcave policore dhe ushtarake serbe. Ndërsa, thuhet se njësitë e armatosura të UÇK-së u krijuan qysh në vitin 1993, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dosjen përfundimtare të Prokurorisë, thuhet se në komunikatat publike, Shtabi i Përgjithshëm mori përgjegjësinë për sulmet në Drenicë kundër policisë serbe dhe “bashkëpunëtorëve” të autoriteteve serbe.

Kurse, më 1997, sipas Prokurorisë, ushtarë të uniformuar të UÇK-së e bënë paraqitjen e tyre të parë publike në Llaushë të Skenderajt në një varrim.

“Gjatë kësaj paraqitjeje, Rexhep SELIMI konfirmoi se UÇK-ja kishte ndërmarrë operacione kundër “bashkëpunëtorëve shqipfolës të okupatorit, kolaboracionistëve”. Ai gjithashtu pretendoi se përfaqësues të tjerë politikë “përpiqen ta denigrojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrimet e tyre pacifiste”, thuhet në dosjen përfundimtare të Prokurorisë.

Prokuroria thotë se luftimet u intensifikuan në fund të vitit 1997 dhe në fillim të vitit 1998. Sipas tyre, kjo dëshmohet nga beteja e Ludoviqit rreth nëntorit të 1997-ës dhe sulmet serbe në fund të shkurtit dhe fillim të marsit 1998 në Qirez, Likoshan dhe Prekaz.

Aty thuhet se pas këtyre ngjarjeve, mijëra persona nga diaspora dhe nga Kosova u paraqitën vullnetarë për UÇK-në, si dhe rekrutët që mbërrinin në Shqipëri, pajiseshin me armë dhe shpesh dërgoheshin në Likoc.

Në këtë vend, Prokuroria pretendon se rekrutët dërgoheshin tek Rexhep Selimi për të cilin pretendohet se ishte shpesh i pranishëm në Zonën e Drenicës. Ndërsa, nga Likoci, thuhet se rekrutët dislokoheshin në zona të tjera sipas nevojës, shpesh nga Thaçi dhe Selimi.

Prokuroria thotë se edhe përpara krijimit të Zonave Operative nga Shtabi i Përgjithshëm, njësitë në zonën e Drenicës përfshirë “Shkoza 1”, e udhëhequr nga Sylejman Selimi ; “Lisi”, e udhëhequr nga Sami Lushtaku; “Shkaba”, e udhëhequr nga Fehmi Lladrovci; “Guri”, e udhëhequr nga Musë Jashari; “Sandokan”, e udhëhequr nga Abedin Rexha; “Alpha”, e udhëhequr nga Mujë Krasniqi; “Zogu”, e udhëhequr nga Sokol Bashota; dhe “Pëllumbi”, e udhëhequr nga Ferat Shala, raportonin drejtpërdrejt te Shtabi i Përgjithshëm.

Në dosje thuhet se Grupi i Prekazit i udhëhequr nga Adem Jashari u shndërrua në Zonën Operative të Drenicës, e cila ishte zona e parë e krijuar dhe se në pjesën më të madhe të periudhës së aktakuzës, selia e saj ndodhej në Likoc, vend ky i cili pretendohet se u vizitua shpesh nga katër të akuzuarit.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pas ofensivave serbe në fund të verës 1998, selia e Zonës Operative të Drenicës u zhvendos përkohësisht në Baicë dhe Abri të Epërme. Ndërsa, në maj 1998, thuhet se Sylejman Selimi u zgjodh Komandant i Zonës Operative të Drenicës në një takim ku mori pjesë Rexhep Selimi dhe emërimi i tij u miratua nga Shtabi i Përgjithshëm. Kurse, si zëvendës Sami Lushtaku.

Tutje, në dosje thuhet se gjatë periudhës së aktakuzës, komandantët e lartë në Zonën Operative të Drenicës duke vepruar herë pas here së bashku me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kryen krime në Likoc, Qirez, Baicë e vende të tjera të kësaj zone ndaj personave që perceptoheshin kundërshtarë.

Lexo edhe:  Aksioni i policisë në Pallatin e Rinisë, raportohet se janë arrestuar tre zyrtarë

Sa i përket njësisë speciale, Prokuroria thotë se më 9 maj 1998, Sylejman Selimi nxori një program dhe plan për këtë njësi elitare të reagimit të shpejtë, e përbërë nga ushtarë të trajnuar në nivel të lartë si dhe emëroi Jahir Demakun si komandant të saj.

Ndërsa, thuhet se Policia Ushtarake u krijua me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dhe ishte aktive që në maj/qershor 1998 e që Sylejman Selimi nxori një program për Policinë Ushtarak e cila thoshte se të gjithë komandantët ishin të detyruar t’ua komunikonin ushtarëve të tyre, përfshirë faktin se Policia Ushtarake ishte përgjegjëse për masat disiplinore, si përdorimi i forcës, burgosja në raste si dezertimi dhe konfiskimi i automjeteve të paautorizuara.

Po ashtu, thuhet se selia e Policisë Ushtarake ndodhej në Likoc dhe drejtohej nga Sahit Jashari, i cili raportonte te komandanti i zonës dhe te Shtabi i Përgjithshëm.

Prokuroria në dosjen e saj përfundimtare ka listuar rastet ku pretendohet se Policia Ushtarake e Drenicës mori pjesë në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të personave që i perceptonte si kundërshtarë.

Ajo përmend një rast ndaj një kontabilisti të quajtur Vladimir Spasiq ku pretendohet se ishte i pensionuar e që kishte punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të RFJ-së. Sipas Prokurorisë, ky person ishte zhdukur në rrugën Prishtinë-Pejë.

Prokuroria ka thënë se një raport i shkruar me dorë më 18 maj 1998 e që pretendohet se është sekuestruar në Likoc, argumenton se Spasiq i ishte dorëzuar Sahit Jasharit nga pika e kontrollit “Pëllumbi”.

Më tej, thuhet se rreth një muaj më vonë, u gjet një video që paraqiste marrjen në pyetje të katër serbëve në paraburgim të UÇK-së. Këta persona, sipas Prokurorisë, përveç Vladimir Spasiq, thuhet se ishin: Miroslav Shuljeniq i rrëmbyer më 21 maj 1998 afër Klinës, Dejan Stojiljkoviq i rrëmbyer nga një autobus më 19 maj 1998 në rrugën Pejë-Mitrovicë, si dhe Zharko Spasiq, shofer në minierën në Bardh të Madh i rrëmbyer rreth 14 majit 1998. Prokuroria thotë se mbetjet mortore të këtyre personave nuk u gjetën kurrë.

Ndërsa, për shërbimin e inteligjencës, Prokuroria pretendon se Sabit Geci i njohur me nofkën “Qopa” drejtonte një njësi që vepronte në Drenicë e që i raportonte Kadri Veselit dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Prokuroria pretendon se në Zonën e Drenicës ishte edhe një person i quajtur Hamza Hajra i njohur me nofkën “Shtutica”, i cili kërkohej nga Zbulim-Kundërzbulimi i UÇK-së për shkak të punës së tij në Sigurimin Shtetëror të Serbisë.

Sipas Prokurorisë, Hamza Hajra u vu në shënjestër nga një ekip atentatorësh të UÇK-së në pranverën e 1998-ës. Thuhet se ai i mbijetoi tentativës së parë për atentat dhe më pas u rrëmbye nga UÇK-ja në Maqedoni, por më vonë u lirua.

Prokuroria pretendon se Kimete Krasniqi kishte thënë se ishte pranuar në radhët e UÇK-së në Drenicë në prill të 1998-ës me kushtin që ta vriste “Shtuticën”.

“Sipas saj, Musë JASHARI (i cili më vonë do të bëhej anëtar i Shtabit të Përgjithshëm), Fehmi LLADROVCI dhe Jahir DEMAKU (i cili më vonë do të bëhej komandant i Tigrave të Zi), ndër të tjerë, ishin në dijeni të operacionit”, thuhet në dosjen përfundimtare të Prokurorisë.

Lexo edhe:  Kjo është 26-vjeçarja që vodhi shkronjat nga varri i komandantit Adem Jashari në Prekaz, dërgohet në paraburgim

Përveç kësaj, thuhet se Kimete Krasniqi e kishte thënë këtë përmes një deklarate publike në të cilën ndër tjerash kishte kërkuar që të mos transferohej nga Zona e Pashtrikut në atë të Drenicës.

“Në gusht 1999, Halil QADRAKU, Shef i ZKZ-së për Zonën e Pashtrikut, i raportoi VESELIT për operacionin e pranverës 1998 përmes Tahir SINANIT, duke përcjellë kërkesën e saj dhe duke theksuar në mënyrë të veçantë se ushtarët “si ajo, që kanë vepruar në këtë mënyrë, duhet të mbrohen”, thuhet në dosjen e Prokurorisë e cila shton se Hamza Hajra u vra në vitin 2001.

Prokruoria pretendon se deri në verën e vitit 1998, Zona Operative e Drenicës kuptohej gjerësisht si “një rajon i rrezikshëm, ‘zona më e keqe’, ku njerëzit dërgoheshin për t’u vrarë”, si dhe ushtarët e UÇK-së në zona të tjera operative i referoheshin asaj si kërcënim.

Pretendimet e Prokuroroisë lidhur me Komunikatën 59

Prokuroria pretendon se Komunikata e njohur me numrin 59 ishte lëshuar pasi Abedin Rexha ishte vrarë në një pritë më 8 tetor 1998. Sipas tyre, Shtabi i Përgjithshëm e lëshoi këtë komunikatë duke e akuzuar Gani Gecin për këtë vrasje, si dhe për “udhëheqjen e policisë serbe në masakrat e kryera kundër popullsisë civile në Kosovë”.

Prokuroria thotë se akuzat ishin të rreme ashtu siç Hashim Thaçi i kishte thënë Rexhep Selimit. Sipas Prokurorisë, Thaçi thuhet se i ka thënë Selimit se kjo komunikatë ishte lëshuar për ta shkatërruar Gecin i cili mbështeste LDK-në dhe Qeverinë e Kosovës.

Prokuroria thotë se kjo komunikatë ndikoi rëndë në të gjithë familjen Geci.

Tutje, thuhet se më 30 tetor 1999, Rexhep Selimi vazhdoi publikisht të përhapte pretendime se Geci ishte tradhtar dhe se e kishte vrarë Rexhën në emër të FARK-ut.

Prokuroria vazhdon pretendimet e saj duke thënë se Shtabi i Përgjithshëm vazhdoi të lëshonte komunikata lidhur me ngjarjet në Drenicë, duke përfshirë edhe atë lidhur me sulmin ndaj tre vëllezërve nga Policia Ushtarak duke u bazuar nga informacione me prejardhje nga shërbimet e inteligjencës.

“Më 18 qershor 1999, të afërm të Anëtarit të NPK-së Sabit GECI — anëtarë të Brigadës 112 — qëlluan ndaj tre vëllezërve BERISHA nga Lutani në qendër të Skënderajt. Një person u vra, një u plagos dhe një tjetër arriti të shpëtonte. I plagosuri u vra më vonë në spitalin aty pranë nga po të njëjtët ushtarë të UÇK-së”, thuhet në dosjen përfundimtare të Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se edhe më parë Sami Lushtaku kishte kërcënuar se do të vriste të gjithë bashkëpunëtorët e serbëve pas luftës dhe në mënyrë specifike të gjithë vëllezërit Berisha nga Lutani, sepse dyshoheshin për bashkëpunim me policinë serbe.

Veç kësaj, Prokuroria pretendon se gjatë periudhës së aktakuzës Shtabi i Përgjithshëm lëshoi urdhra për Komandën e Zonës së Drenicës, zhvillonte takime me të dhe kërkonte përforcime, fonde dhe mbështetje logjistike, si dhe shpërndante dhe zbatonte Rregulloret e Përkohshme dhe direktivat. Ndërsa, thuhet se Komandantët e Zonës Operative të Drenicës lëshonin urdhra për komandantët e brigadave, si gojarisht (personalisht ose përmes radios).

Lexo edhe:  Gjendet pa ndjenja Imami kosovar, u rrah nga disa persona në Xhami!

Tutje thuhet se kur Sylejman Selimi u bë komandant i Përgjithshëm i UÇK-së rreth fundit të shkurtit 1999, Sami Lushtaku mori detyrën e komandantit të Zonës së Drenicës.

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se Komanda e Zonës mbante gjithashtu një spital në Likoc dhe lëshonte urdhra me shkrim për çështje civile.

“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi më 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

Ndërsa, më 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.

Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.

Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi