LVV-ja e përjashton nga strukturat e veta asamblistin Mujeci që u kap me drogë në Tiranë

Asamblisti i arrestuar i LVV-së në Prishtinë, Besnik Mujeci, është përjashtuar të martën nga të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmin e bëri të ditur sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, i cili shkroi se Mujeci është përjashtuar edhe nga anëtarësia e partisë në pushtet.

Mujeci u arrestua të hënën. I njëjti u kap në Tiranë me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me peshë prej mbi 5.090 kilogramë në vlerë rreth 400 mijë euro.

“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Diciplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, shkroi Rama në Facebook.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”, shtoi ai.

Lexo edhe:  Shkoi për të dërguar lule tek varri i gjyshit, gjen se mbi të i është ndërtuar një shtëpi- Nipi përfundon në polici