Viti: 35-vjeçari sulmon me sëpatë personin me të cilin u kap në komunikacion

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.

Një rast i tmerrshëm ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Brigadat 173’ në Viti, ku pas një konflikti në komunikacion, një person dyshohet se ka sulmuar një person tjetër me sëpatë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur disa minuta pas konfliktit në vendin e ngjarjes, ku 35-vjeçari më pas kishte shkuar në lokalin e viktimës dhe të njëjtin e kishte gjuajtur me një sëpatë.

Viktima ka marrë lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Lexo edhe:  40-vjeçarja në Pejë denoncon një grua në Polici, thotë se po e ngacmon vazhdimisht