Këta janë dy personat që u kapën me mbi 1 kilogram drogë në Gjakovë

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Për një rast të tillë kanë rënë në pranga dy persona në Gjakovë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se dy të dyshuarit janë Shpëtim Gashi 40-vjeçar dhe Bujar Gaxherri 36-vjeçar.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë me dije se pas kontrollit në shtëpinë e të dyshuarve, janë gjetur mbi 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Po ashtu, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar  edhe një thikë e disa euro, franga, dollar e lekë.

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit të shtëpisë i janë gjetur dhe konfiskuar 1 kg 163 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, dy peshore, një thikë, 5.825€, 30 franga, 7 dollar, 200 lekë dhe katër telefona mobil”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gashi dhe Gaxherri janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Vërshime të jashtëzakonshme në Austri, i riu nga Kosova u del në ndihmë banorëve të zonës