E dhimbshme: Dy këmbësorët që u goditën për vdekje nga vetura në Pejë janë nga kjo familje

Dita e shtunë ishte e kobshme për disa familje në vendin tonë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre.

Pesë persona vdiqën, në tri aksidente trafiku, në Podujevë, Pejë, si dhe në Graçanicë. Në aksidentin me fatalitet që ndodhi në fshatin Ozdrim të Pejës, mbetën të vdekur dy këmbësorë, ndërkaq një person tjetër është lënduar rëndë.

Sinjali mëson se dy viktimat e këtij aksidenti janë nga A.Shala dhe F.Shala, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e rënda dhe vdiqën në vendin e ngjarjes, teksa personi i lënduar tashmë po trajtohet në QKUK.

Rastin e ka konfirmuar mbrëmë për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor.

“Rreth orës 21:30 Policia është informuar për një aksident trafiku në fshatin Ozdrim të Pejës. Në aksident kanë qenë të involvuara një veturë dhe tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë rezultuar me fatalitet. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin është shoqëruar në stacion policor”, tha Driton Rugova për Sinjalin.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.

16 shtatori shënoi një ditë të kobshme për Kosovën, pasi brenda pak orësh kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet, një në Podujevë, një në Graçanicë dhe ky rast në Pejë.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

Lexo edhe:  Arrestohet komandant Hekuran Hoda, dyshohet për mashtrim