“Ma këpute shpirtin daja jem”, postimi prekës i familjarit të të riut që vdiq në vetaksidentin e rëndë

Dita e shtunë ishte e kobshme për familjet Mehmeti e Boshnjaku në Podujevë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre.

Në një vetaksident të rëndë që ndodhi në fshatin Sfeqël të Podujevës, shoferi i veturës dhe njëri prej pasagjerëve, Ultrim Mehmeti dhe Qëndrim Boshnjaku, nuk arritën t’i përballojnë plagët dhe ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.

Për vdekjen e tyre kanë njoftuar edhe miqtë e familjarët, të cilët janë tronditur nga ky lajm.

Njëri prej tyre, i afërm i të ndjerit Qëndrimit, ka shkruar disa fjalë prekëse në një postim në Facebook, pasi mori lajmin për vdekjen e tij.

“Zoti t’paska dasht aq shumë që të mori afër vetes. Ishallah Zoti t’ka çu në xhenet Daja jem Qëndrim. Ma këpute shpirtin…”, ka shkruar ai.

Ndryshe, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Sinjalin mbrëmë se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë.  Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore.  Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur.  Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut”, tha Ahmeti.

16 shtatori shënoi një ditë të kobshme për Kosovën, pasi brenda pak orësh kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet, një në Podujevë, një në Graçanicë dhe një në Pejë.

Si pasojë e lëndimeve të marra, kanë humbur jetën pesë persona dhe kanë mbetur të lënduar disa të tjerë.

Lexo edhe:  “Kurti po u kërkon shqiptarëve në Gjermani të votojnë miqtë e Putinit dhe Vuçiqit”, kur Gërvalla kritikonte shefin e saj

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.