KFOR-i i gatshëm të ndërhyjë nëse ka rrezik në Kosovë

Më datë 1 nëntor ka filluar faza qortuse për qytetarët që qarkullojnë në Kosovë me targat ilegale serbe, me kërkesën që pronarët e veturave me targa ilegale të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës nuk u prit mirë nga Serbia e qytetarët serb, të cilët nuk ndryshojnë qëndrimin e tyre për ri-regjistrim. Në anën tjetër Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq nuk ka përjashtuar mundësinë e barrikadave.

KFOR-i në një përgjigje për Indeksonline thotë se, trupat e tyre po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes.

Po ashtu, KFOR-i thekson se në përgjithësi, situata është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

Thirrja e tyre karshi kësaj situate është se “tani duhet shmangur veprimet dhe iniciativat e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim ose dhunë të panevojshme”.

“KFOR-i vazhdon të kryejë çdo ditë misionin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga data 21 nëntor deri më 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi.

Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të  njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.

Lexo edhe:  Rast tragjik në Shtime: 11-vjeçarja bie aksidentalisht nga kati i katërt i shtëpisë, nuk u mbijeton plagëve

Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”  brenda territorit të Republikës së Kosovës.