Pa furnizime, pa karburant – afër 20 policë janë lënë tash e 4 ditë të bllokuar në pikën kufitare në Jarninjë

Afër 20 policë të Kosovës, të njësive të ndryshme, nga 9 dhjetori kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare në Jarninjë.

Meqë rrugët janë të mbyllura nga barrikadat e vendosura në Veri, ata nuk janë zëvendësuar për gati 90 orë.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk është kujdesuar t’u dërgojë as ushqime, kurse prej kohësh kanë mbetur edhe pa karburant.

Po të mos ishte një kamp i KFOR-it amerikan, nuk do të kishin asgjë për të ngrënë.

Ushtarët nga ky kamp po sigurojnë ushqim herë pas here për ta.

Nga informatat që ka Albanian Post, gjendja psikologjike e policëve është e rëndë, derisa ka edhe irritim me qasjen e institucioneve në raport me situatën.

Policët e mbetur në kufi nuk kanë as vend për pastrim dhe zëvendësim të veshjeve, duke u shfaqur kështu edhe probleme të theksuara me higjienën.

Albanian Post ka kërkuar të di më shumë rreth gjendjes së tyre, por nga Policia e Kosovës nuk kanë dashur të flasin specifikisht për situatën e policëve në kufij.

“Policia e Kosovës, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me kohë ndërmerr masat e sigurisë, masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë”, thuhet në përgjigjen e policisë, por komunikata flet në parim dhe jo për rastin konkret.

Në pyetjen se a ka një plan operativ se si të zëvendësohen ata polic, përgjigja ka munguar.

Albanian Post ka pyetur edhe në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, por nga aty kanë thënë se ata vetë nuk janë në dijeni për këtë situatë dhe meqë është çështje operacionale nuk u takon atyre.

Edhe nga zyra rajonale për media e Mitrovicës së Veriut, refuzuan të flasin meqë – as këtyre – nuk u takon.

Lexo edhe:  Skenderaj: Burri e rrah gruan në natën e Shën Valentinit, e bën për spital

“Janë polici kufitarë dhe njësi të tjera, për të cilat është përgjegjëse qendra”, tha në përgjigje Besim Hoti, zëvendës i Policisë së Kosovës.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme po ashtu nuk kanë dhënë informacione.

Pas pranimit të pyetjeve, zëdhënësja e MPB-së, Roksana Qarri, tha se tjetër përgjigje nuk kanë, pos asaj të lëshuar nga policia më herët.

Të vetmit që kanë folur janë kolegë policë që i kanë shkruar Albanian Post-it të shqetësuar me situatën e policëve atje.

Gjithashtu, disa familjarë të policëve që janë në mesin e të bllokuarve, të cilët as nuk e kuptojnë se si është e mundur që policia vazhdon të mos gjej forma alternative për t’i zëvendësuar.

Si u bllokuan në kufi?

U bllokuan për shkak të Dejan Pantiç, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, i arrestuar të shtunën në pikën kufitare në Jarinjë.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë në Veri bllokuan rrugët me barrikada në arteriet kryesore që çojnë në Jarinjë. Ata nuk donin që ai të transferohet në Prishtinë.

Policët u detyruan që ta mbajnë në pikën kufitar të arrestuar. Për shkak të tij, mbetën edhe vetë të bllokuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste, ka folur për moralin e lartë të policisë së Kosovës dhe nevojës për mbështetjen e tyre.

Ministri Xhelal Sveçla gjithashtu, duke u mburrur edhe me përgatitjen e tyre.

Por, përtej fjalëve, kur policët kanë mbetur atje tash e katër ditë, shteti ka mbetur i pagojë.