Gjuajti me armë dhe i rrahu babë e bir: Zbulohet kush është personi i shpallur në kërkim për sherrin në Ferizaj

Të mërkurën në mbrëmje janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, pas një sherri që dyshohet se plasi mes dy personave.

Rastin e ka konfirmuar Policia, me ç’rast është bërë e ditur se i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa tashmë kanë nisur hetimet. Sinjali ka mësuar detaje të reja se si erdhi deri te rasti, që për pak mund të përfundonte me fatalitet.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuar për rastin është B.Idrizi, i cili është shpallur në kërkim nga Policia dhe akoma nuk është kapur përkundër ndërmarrjes së veprimeve hetimore.

Sinjali mëson se i njëjti po dyshohet se ka shtënë dy herë me armë zjarri, pas një fjalosje që e ka pasur me një person, për shkak të një problemi që e ka pasur me djalin e tij (djalin e viktimës), të cilin dyshohet se  e kishte rrahur.

Sipas informacioneve të para, babai i të riut, viktima e këtij rasti, dyshohet se ishte takuar me të dyshuarin për ta sqaruar incidentin që ka ndodhur, por fatkeqësisht aty nisi konflikti tjetër.

Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e kishte nxjerrë armën dhe ka shkrepur, por i biri i tij ka arritur të intervenojë, duke e shpëtuar babanë nga plumbi.

Për të mos mbaruar me kaq, viktimat kanë deklaruar në Polici se i dyshuari para se të largohej edhe i ka sulmuar fizikisht dhe më pas ia ka mbathur.

Të njëjtit kanë kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast në vendin e ngjarjes ka intervenuar njësitë përkatëse, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Në anën tjetër, viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor, teksa Policia ka nisur kërkimet për arrestimin e  të dyshuarit.

Lexo edhe:  Shembull i mirë: Punëtori në Vushtrri është aq i kënaqur me kushtet, sa i çon mirënjohje pronarit Naser Imeri

Edhe nga policia e kanë konfirmuar rastin dhe është bërë e ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur hetimet për veprat “Përdorim i armës” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

“Viktima mashkull  kosovar ka raportuar se është takuar me të dyshuarin mashkull kosovar për të biseduar në lidhje me një problem që i dyshuari e ka pasur me djalin e viktimës. Gjatë bisedës i dyshuari ka nxjerrë një revole dhe ka shtënë dy herë në tokë. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë e cila dyshohet se mund të jetë përdorur në rast. I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet.”