“Kam me të mbytë”/ Katër persona kërcënojnë me jetë kamerierin që s’u shërbeu pas orarit dhe demolojnë lokalin e ‘Prince Caffe’ në Pejë

Në lokalet e gastronomisë frekuentimi dhe kërkesat janë të mëdha, me ç’rast personat të cilët shërbejnë aty përballen edhe me persona të cilët kanë sjellje jo adekuate ndaj tyre. Një porosi e ardhur në prag të përfundimit të orarit të punës, ka shkaktuar shumë telashe për një kamerier në një ndër kafenetë më të njohura në vend.

Katër persona të dehur së fundmi kanë shkuar rreth orës 22:45 në kafenenë ‘Princ Caffe’ në Pejë, ku kanë kërkuar që të shërbehen me ato që ofron lokali.

Sinjali mëson se kamerieri i cili i kishte njoftuar se puna për ditën e sotme ka përfunduar, është përballur me kërcënime nga të dyshuarit, të cilët i kanë thënë se do e mbysin.

Por, kjo nuk ka përfunduar me kaq, pasi që të dyshuarit kanë kryer edhe veprime vandal duke u shkaktuar dëme inventarit të lokalit dhe duke thyer gotat e gjësendet tjera.

Përballë kësaj situate, punëtori i kafenesë është detyruar që të lajmërojë rastin në Polici, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku edhe i kanë arrestuar katër të dyshuarit.

Të rinjtë pas shoqërimit në stacion policor i janë nënshtruar testit për alkool, ku kanë rezultuar në gjendje të dehur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëuar që tre të dyshuarve të rritur t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa I dyshuari i mitur është ndaluar për 24 orë.

Të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Dëmtim apo asgjësim i pasurisë’.

Lexo edhe:  Vëllau i Liridona Ademajt me reagim publik: Shpreson që institucionet të lejojnë rivarrimin e viktimës në fshatin e saj