14 punëtorë vdiqën sivjet, kritikohet Qeveria që s’e shtoi numrin e inspektorëve

Këtë vit është rritur numri i punëtorëve që humbën jetën në vendin e punës. Në krahasim më vitin 2021 kur ishin nëntë të vdekur, më 2022 pati 14 jetë të humbura. Më së shumti raste me fatalitet janë regjistruar në sektorin e ndërtimtarisë. Nga Inspektorati i Punës thonë se këtë vit ka pasur edhe më shumë gjoba të shqiptuara për kompanitë që nuk janë kujdesur për sigurinë e punëtorëve. Ndërsa, nga Shoqata e Ndërtimtarëve fajësojnë institucionet për mungesë të inspektorëve.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, deklaroi për KosovaPress se mbetet shqetësuese numri i punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës. Sipas tij, ata mbesin të fokusuar të inspektojnë për respektimin e ligjit për siguri në punë.

“Vitin 2021 kemi nëntë vdekje, (raste) me fatalitet dhe këtë vit 14 vdekje që kanë ndodhur në tregun e punës dhe shumica e këtyre vdekjeve janë në sektorin e ndërtimit pasi që ky është një sektor i cili është në hov të madh dhe gjithashtu Inspektorati i Punës është më shumë i koncentruar që ta inspektojë apo ta mbikëqyrë Ligjin për siguri dhe shëndet në punë që prek këtë sektor”, theksoi Nikçi.

Sipas Nikçit, këtë vit është rritur edhe numri shqiptimit të gjobave për kompanitë të cilat kanë shkelur ligjin e punës dhe atë për siguri. Ai tha se më së shumti gjoba janë dhënë për sektorin e ndërtimit.

“Vitin 2021 në statistikat e Inspektoratit të Punës kemi 281 kompani të ndëshkuara me gjobë me masa ndëshkimore, ndërsa për vitin 2022 kemi 314 kompani të ndëshkuara me masë ndëshkimore, si pasojë e shkeljes së rregullave apo dispozitave ligjore, si Ligjit të punës dhe Ligjit për siguri dhe shëndet në punë dhe këto gjoba janë të shqiptuara kryesisht në sektorin e ndërtimit. Pra, nëse e krahasojmë me vitin e kaluar 2021 këtë vit kemi një rritje të numrit të shqiptuar të gjobave të masave ndëshkimore”, bën të ditur Nikçi.

Lexo edhe:  Disa të arrestuar për ryshfet në ministrinë e Xhelal Sveçlës

Nikçi deklaroi se me shtimin e inspektimeve dhe shqiptimin e masave ndëshkimore, bizneset po vetëdijesohen për rëndësinë e sigurisë dhe të shëndetit në punë.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Faton Hoxha ka adresuar kritika ndaj qeverisë, pasi sipas tij, nuk i ka mbajtur premtimet për shtimin e numrit të inspektorëve.

“Vit pas viti siguria në vendin e punës po ndryshon, njerëzit janë të prirur që të veprojnë sipas rregullave në fuqi, ne e kemi një rregullore… mirëpo kontrollet duhet të jenë të vazhdueshme dhe numri i vogël (i inspektorëve) që ka Inspektorati i Punës ndoshta ka bërë që në disa raste edhe të neglizhohen ato rregulla që janë në fuqi. Qeveria ka premtuar se do ta shtojë numrin e inspektorëve për të paktën 50, por nuk kam informacione të tilla që është shtuar. Rregullat nuk janë aq të vështira të zbatohen mirëpo duhet të ngrihet vetëdija edhe të punëmarrësit sepse në shumë raste ata vetë e neglizhojnë sigurinë në punë”, tha Hoxha.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se pronarët e kompanive nuk i japin rëndësi sigurisë së punëtorëve. Ai tha se edhe shteti duhet të jetë më i rreptë.

Azemi u shpreh se mungesa e sigurisë në punë është një nga arsyet kryesore pse punëtorët kërkojnë të gjejnë vende pune jashtë vendit.

“Sigurisë së punëtorëve në vendin e punës nuk i është kushtuar një rendësi e veçantë, pothuajse fare nuk merret me këtë çështje pronari i kompanisë, ndërkaq duhet të jetë mbikëqyrës edhe shteti, por edhe vetë punëtoret duhet të mendojnë për sigurinë dhe shëndetin e tyre në punë… Shteti dhe pronarët e kompanive nuk kanë bërë asgjë dhe realisht përpos pagës që është si mjet kryesor për ikjen e punëtorëve të sektorit privat nga Kosova, edhe siguria dhe shëndeti në punë është një pjesë pothuajse primare për ata të cilët ikin nga Kosova”, tha Azemi.

Lexo edhe:  Mori pagën dhe e la punën pa paralajmrim

Shqetësuese mbetet edhe fakti se punëtorët në Kosovë, në numër të konsiderueshëm, punojnë pa sigurim shëndetësor./ kp