Aksident i rëndë në fabrikën e KEK-ut në Obiliq, punëtori goditet në fytyrë nga një pjesë metalike e makinerisë

Një aksident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur të martën në një objekt të KEK-ut në Obiliq, ku një punëtor ka pësuar lëndime serioze gjatë procesit të punës dhe është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 8 korrik, rreth orës 14:20, në Fabrikën e Pajimeve Xehtare, në zonën e KEK-ut, në fshatin Palaj.

Sipas informacioneve, punëtori Milazim Binaku rreth 59-vjeç ishte duke operuar një makineri me telekomandë, kur gjatë manovrimit një bulon metalik rreth 12 centimetra u deformua nga presioni i makinerisë dhe u shkëput, duke e goditur fuqishëm në pjesën e fytyrës.

Për shkak të lëndimeve të pësuara, ai është dërguar fillimisht për ndihmë mjekësore, e më pas është hospitalizuar në QKUK në Prishtinë, ku po vazhdon trajtimin.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, si dhe Inspektorati i Punës, të cilët kanë nisur ekzaminimin e rrethanave në të cilat ndodhi aksidenti.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa është iniciuar procedurë për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar nëse janë respektuar standardet e sigurisë në punë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me aksidentin.

Lexo edhe:  Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg