Vrasja e 23-vjeçarit në Prizren, Gjykata i shpall fajtorë dy të akuzuarit – i dënon me 35 vjet burgim

jykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykimin lidhur me vrasjen e 23-vjeçarit, Mendim Kurtishaj, para tri vitesh në Prizren, pasi të njëjtit janë gjetur fajtor për ekzekutimin e të riut. Ndaj tyre, trupi gjykues i ka dënuar të dy me gjithsej 35 vjet burgim, raporton Gazeta Sinjali.

Dy të akuzuarit, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj janë shpallur fajtor për krimin e rëndë, që tronditi Prizrenin, më 1 maj 2020.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata në Prizren.

Zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj, në një përgjigje për Sinjalin ka bërë të ditur se Orhan Ademaj është dënuar me 22 vjet burgim, ndërsa i akuzuarit tjetër me 13 vjet burgim.

“I pandehuri  Orhan Ademaj, është shpallur fajtor  për veprën penale Vrasje e Rëndë nga neni 173 par. 1 nën par 1.8 të KP-së, dhe ndaj të njëjti është shqiptuar DËNIM ME BRUGIM në kohëzgjatje prej 22 vitesh (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01.05.2020).

I pandehuri Albert Ademaj, është shpallur fajtor, për veprën penale, Vrasja e Rëndë në ndihmë nga neni 173. Par. 1 nën par. 1.8 lidhur me nenin 33 (ndihma në kryerjen e veprës penale), dhe ndaj të njëjti është shqiptuar DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 13 vitesh (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01.05.2020).”

Ndaj tyre, iu është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Orhan Ademajn dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020, në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren, në bashkëkryerje dhe me dashje, me motiv të hakmarrjes, kanë privuar nga jeta Kurtishajn.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit me veturën e tyre, të cilën ishte duke e drejtuar Albert Ademaj, e kanë ndjekur Mendim Kurtishajn, i cili ishte në motoçikletë së bashku me dëshmitarin M. H. Kur arrijnë te “Tranziti i ri” në Prizren, Orhan Ademaj akuzohet se kishte dalë nga automjeti dhe i ishte afruar Kurtishajt, ku gjatë konfliktit me viktimën e kishte goditur me thikë në pjesën ballore të gjoksit.

Lexo edhe:  Naim Murseli hyn fshehurazi në gjykatë