Aksion në Mitrovicë, arrestohet një person dhe sekuestrohen 80 doza me kokainë, para e armë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës ka zhvilluar aksion policor kundër drogës sot në qytetin e Mitrovicës, që ka rezultuar me arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e një sasie të drogës.

Operacioni u krye në rrugën “Esat Meholli” në Mitrovicë, ku Policia prangosi personin që dyshohet se qe një kohë të caktuar merrej me shitblerjen e substancave narkotike.

Sinjali mëson se Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar 80 qese me substancë narkotike, të llojit kokainë, rreth 2500 euro para të gatshme, si dhe armë e municion.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  “Ta q* gojën e nanës, mos m’shti me ardhë me t’vra”: Dhëndri kërcënon mikun e tij në Vushtrri, përfundon në pranga