Policia heq kamerat “misterioze” të vendosura në komunat me shumicë serbe

Policia ka nisur heqjen e kamerave në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi ato konsiderohen se janë vendosur ilegalisht në vende publike.

Në vetëm dy prej tyre në veri – Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok – u hoqën mbi 50 kamera vëzhguese, ditëve të fundit.

Në territorin e qytetit të Mitrovicës së Veriut, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 11 kilometrash katrorë, u hoqën 38 kamera, ndërsa në Zubin Potok 13.

“Policia nuk kishte njohuri për këto kamera dhe për këtë arsye ato u hoqën”, tha zëvendësdrejtori i policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani për Sinjalin.

Ai paralajmëroi se autoritetet e Kosovës do t’i vendosin kamerat e tyre, të cilat do të kontrollohen ekskluzivisht nga Policia e Kosovës.

Kamerat që u hoqën, janë prodhim i Kinës, por Elshani nuk mundi të specifikonte se për çfarë modeli bëhet fjalë.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit gjatë vikendit