Varësia nga droga: I riu në Ferizaj kapet me kokainë, Policia ia bastis edhe shtëpinë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë, ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te shoferi i veturës është gjetur një qese me sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit kokainë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Kjo ka bërë që Policia të bastis shtëpinë e të dyshuarit, ku po ashtu është gjetur një tjetër qese me kokainë.

28-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe me vendim të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  A do të ekzekutohen pagat për mësuesit grevistë