Walker përmend ish-presidentin Thaçi në Reçak

Ambasadori William Walker, gjatë ceremonisë përkujtimore për masakrën e Reçakut, ka thënë se çdo vit sheh më shumë njerëz që vijnë për të nderuar dhe respektuar njerëzit këtu.

Ai ka thënë se më 15 janar 1999 moti ishte i ftoftë, me borë dhe akull, derisa sot është me diell, gjë që , sipas tij, tregon edhe përparimin e gjërave në Kosovë.

“Unë vi çdo vit edhe për arsye të ndryshme, por më e rëndësishmja është që të shoh se çfarë progresi është arritur në fshatin e Reçakut dhe në Republikën e Kosovën në tërësi. Dhe duhet të them se çdo vit largohem nga këtu me përshtypje më pozitive se çfarë ka ndodhur këtu dhe çfarë do të ndodh në të ardhmen. Nëse vetëm fakti 15 janarit i vitit 1999 moti në atë kohë ishte i tmerrshëm, kishte borë e akull, ishte e vështirë të ecje në këtë terren dhe t’i shohësh trupat e viktimave e asaj që kishte ndodhur një natë më parë. Sot derisa shoh, dielli po ndriçon,  qielli është i kaltër, dhe kjo simbolizon që gjërat janë përmirësuar, jo vetëm në mënyrë simbolike por edhe në mënyra tjera. Njerëzit e Kosovës kanë bërë gjëra të rëndësishme prej atij janari të 1999-ës, po ashtu kam qenë këtu në 15 ceremoni vjetore, kryesisht për të parë njerëzit e fshatrave”, ka thënë ai.

Më tutje, Walkeri ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke e kujtuar një moment me të.

“Tri vjet më parë e mirëprita presidentin Hashim Thaçi, kur ai erdhi për herë të parë dhe i dhashë një lule dhe i thashë që ta vendosë atë lule dhe sa herë ta sheh atë lule, ta kujtojë Reçakun. Më tha se ashtu ka bërë, tani nuk e di se ku është dhe atje ku është ai a e kujton ende Reçakun. Ajo që dua të them është se çdo vit qeveria qendrore, jo vetëm Shtimja, dëshiron të vijë dhe të tregojë se Reçaku përfaqëson shumë më shumë përtej këtij regjion, Reçaku përfaqëson Kosovën”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Mitrovicasi e raportoi si të zhdukur vajzen e tij pasi nuk u kthye nga "shitorja": E mitura gjendet duke bashkëjetuar me të dashurin në Gjilan