“Ta q* gojën e nanës, mos m’shti me ardhë me t’vra”: Dhëndri kërcënon mikun e tij në Vushtrri, përfundon në pranga

Nga problemet e konfliktet mes burrave me familjarët e bashkëshorteve të tyre, më së shumti e pësojnë këto të fundit. Kjo pasi që në Kosovë ka shumë raste kur gruaja privohet të vizitojë familjarët e saj, për shkak të martesës me persona të caktuar.

Në një situatë të tillë ndodhet një grua në Vushtrri, e cila tash e 8 vjet nuk ka mundësi të shkojë te familja e saj për vizitë, për shkak se bashkëshorti i saj kishte pasur konflikte me vëllain e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në prag të festës së Bajramit të Fitrit, vëllai i gruas ka bërë përpjekje që të zgjidh konfliktet dhe të rregullojë raportin me dhëndrin e tij. 31-vjeçari ka telefonuar të dyshuarin në telefon, mirëpo  ai dyshohet se ka shpërthyer në sharje e kërcënime drejt tij.

Sipas informacioneve të para, dhëndri dyshohet ta ketë sharë me nënë dhe e ka kërcënuar me jetë, e më pas ia ka mbyllur telefonin.

Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer ngjarjen në tërësi.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Automekaniku godet aksidentalisht me çelës të punës fëmijën 9-vjeçar, i mituri pëson frakturë në kokë