Ramush Haradinaj i premton SBASHK-ut rritje prej 50% të pagave për mësimdhënësit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se sot ka pritur në takim përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Haradinaj para anëtarëve të SBASHK-ut ka premtuar për rritje pagash për 50 për qind, për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet.

Ai ka thënë se arsimi është prioritet në programin zgjedhor të AAK-së 2025-2029.

“Në takim me delegacionin e SBASHK-ut, kryesuar nga z. Rrahman Jasharaj, u njoftova për sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit dhe arsimi në përgjithësi. Po ashtu, me ta i ndava 14 prioritetet në sferën e arsimit që do të përfshihen në programin zgjedhor të AAK-së 2025-2029.

E konfirmova synimin tonë për rritjen e pagave për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50% si dhe ngritjen e buxhetit për arsim për 6%. Arsimi do të jetë prioritet i Aleancës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Lexo edhe:  Dogana konfiskon mall me vlerë mbi 10 mijë euro