Paguajti 30 euro për postë kur aplikoi për vizë gjermane, avokati kërkon që t’u kthehen paratë të gjithëve

Avokati Flamur Abdullahu, i cili inicioi në Gjykatën Komerciale rastin e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C, që shërbimi postar në vlerë prej 30 eurosh të mos jetë obligativ për aplikantët për viza në Ambasadën Gjermane, tani po kërkon që t’u kthehen paratë të gjithë atyre që kanë paguar për këtë shërbim. Meqenëse Gjykata Komerciale, në të dyja shkallët ka vendosur që VisaMetric-ut, t’ia ndalojë detyrimin që aplikantët të pranojnë pasaportat vetëm përmes postës, avokati Flamur Abdullahu konsideron se ky operator ekonomik nuk po e respekton vendimin e gjykatës dhe po vazhdon sërish t’iu marrë para qytetarëve, pasi vlerëson se kjo praktikë është dashur të ndalohej së zbatuari prej “kur është nxjerrë vendimi i shkallës së parë”.

Gazeta Express ka zbvilluar një bisedë me avokatin Flamur Abdullahu i cili ka shpjeguar se si nisi procedurat që të ndalohet praktika e pagesës për të pranuar pasaportën vetëm përmes postës dhe të mos ekzistojë mundësia që mjeti i identifikimit të tërhiqet direkt nga zyra. Ai tha se kjo nisi kur ka aplikuar në shtatorin e vitit 2022 për vizë.

“Unë kam apliku për vizë edhe në momentin kur e kam pa qysh është praktika e atyre njerëzve, kam bë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ata (VisaMetric) e kanë pas detyrimin e postës pasi që ke shku me apliku, unë kam bë ankesë edhe ka shku Inspektori i Mbrojtjes së Konsumatorit, ata i kanë thanë Inspektorit, se kush aplikon me familje nuk ia marrim për 5 anëtarë pagesën, por ia marrim për një, tash e tutje. Edhe atyre që ju kemi marrë nga 1 Tetori, kemi me jua kthy…Nuk është e vërtetë që i kanë kthy ata vazhdojnë me i marrë (paratë), por e kanë kthy formën avans. Në momentin kur t’i e bën terminin ata të marrin avans edhe për postën… 30 euro shërbimi për postën”, u shpreh ai.

Lexo edhe:  Një grumbull kuajsh "pushtojnë" rrugën e Obiliqit

Avokati Abdullahu deklaron se nëse një familje 5 anëtarëshe ka aplikuar për viza, postën është dashur ta paguajnë 150 euro.

“Në fillim ka qenë postën me pagu aty cash, më pastaj kur ju ka shku në kontroll Mbrojtja e Konsumatorit e kanë bë pagesën avans. Mos me mujt me bë termin, pa e pagu postën. Kanë vazhdu me apliku, p.sh, e njëjta familje, e njëjta adresë, për 5 veta ia kanë marrë 150 euro vetëm për postë”, tha avokati Abdullahu për Gazetën Express.

Në mënyrë që atij dhe qytetarëve t’u kthehen paratë, avokati tha se ka ushtruar Padi Kolektive, në emër të interesit publik.

“Për këtë qëllim kam bë padi kolektive në emër të interesit publik, e tash e pres gjykatën mem ftu në seancë për padi kolektive, unë kam kërku me mu kthy mua paratë edhe gjithë të tjerëve kujna ia kanë marrë këtë pagesën kundër ligjit. Tash varet nga gjykata se sa shpejtë punon gjykata”, tha Abdullahu për Gazetën Express.

I njëjti shtoi se vendimi për ndalimin e pagesës prej 30 euro, është dashur të zbatohej nga VisaMetric L.L.C që nga marrja e vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

“Vendimet që janë deri tash, janë që tash e tutje mos me ju marrë njerëzve para. Ne kërkojmë përmes padisë kolektive me u kthy ato që janë marrë më herët. Ata nuk e kanë respektu vendimin e gjykatës, sepse prej kur është nxjerrë vendimi i shkallës së parë, ata kanë qene të obliguar, por ata se kanë respektu vendimin e gjykatës”, u shpreh ai.

Ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tha se ka zhvilluar vizitë në “VisaMetric” L.L.C në Prishtinë, ku u shpreh se ky operator ekonomik ka pranuar se do të bëjnë ri-mbursimin e konsumatorëve që janë ankuar. Gjithashtu, MINT deklaroi se për shkeljet e konstatuara, “Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës”.

Lexo edhe:  Gjilanasja e gjen kuletën me shumë të madhe parash brenda, e kërkon pronarin e saj

Por, avokati pohon se nuk u janë kthyer paratë qytetarëve dhe se nuk ka informacione se këtij operatori ekonomik i është shqiptuar ndonjë gjobë.

“Nuk kam informacion që i ka shqiptu gjobë, përgjigja e inspektorit është shumë joprofesionale”, deklaroi ai.

Gazeta Express, posedon përgjigjen e Inspektorit të Tregut për rastin e VisaMetric L.L.C, në të cilën ndër të tjera thuhet se pagesa nuk do të bëhet për secilin familjar veç e veç, nëse aplikuesit janë të një familje. Dhe nga data 1 tetor 2022, do të rimbursohen në formë retroaktive ata të cilët kanë aplikuar si familjarë.

Por nuk dihet nëse kjo që ka thënë MINT është zbatuar.

Lidhur me këtë çështje, Express është në pritje të një përgjigje nga VisaMetric, nëse deri më tani është rimbursuar ndonjë qytetar.

Pala mbrojtëse e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C, Fisnik Salihu, tha se janë në pritje të vendimit të shkallës së dytë të gjykatës dhe sipas tij gjithçka ka qenë konform ligjit dhe kërkesave të aplikantëve.

“Si përfaqësues të autorizuar ende nuk e kemi pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, andaj pa e pranu vendimin e plotë dhe pa e analizu nuk mundemi të deklarohemi, sapo ta pranojmë vendimin do të deklarohemi. Jemi duke pritë në formë të shkruar me na ardhë në kopje fizike dhe pasi ta analizojmë do të deklarohemi. Avokati (Flamur Abdullahu), ka publiku diçka, e kemi pa që ka mundësi që është refuzu, mirëpo pa e pranu zyrtarisht nuk mundemi me konfirmu. Pasi ta pranojmë vendimin, do të shohim për hapat e radhës, sepse konsiderojmë që VisaMetric deri më tani ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe shërbimet postare kanë qenë vlerë e shtuar për aplikantët për viza dhe cdo gjë ka qenë konform ligjit dhe kërkesave të aplikantëve”, tha Salihu për Gazetën Express.

Lexo edhe:  Policia për vdekjen e 1 vjeçarit: Babai e shkeli me veturë në oborrin e shtëpisë