Mbi 230 mijë armë pa leje në duart e kosovarëve, çdo i shtati ka një armë pa leje

Mbi 230 mijë armë pa leje janë në duar të qytetarëve të Kosovës, llogarit Ministria e Punëve të Brendshme në vend.

Shprehur ndryshe, çdo i shtati qytetar i Kosovës ka një armë pa leje.

Policia thotë se, deri më tash këtë vit, ka konfiskuar 430 armë të tilla.

Sipas të dhënave të saj, nga viti 2020 deri më 18 prill të këtij viti, janë ngritur 5.895 raste në gjykata lidhur me veprën penale: “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve”.

Ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë përpjekje të shtuara për konfiskimin e tyre, duke thënë se qytetarët që i posedojnë ato, cenojnë sigurinë publike, por edhe veten e tyre.

Vetëm gjatë prillit, në Kosovë u vranë dy gra – njëra në Ferizaj dhe tjetra në Pejë. Policia konfirmoi se të dyshuarit për vrasje – në të dyja rastet bashkëshortët – përdorën armë pa leje.

Organizatat joqeveritare që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, konsiderojnë se dënimet e ulëta për armëmbajtje pa leje, bëjnë që shumë qytetarë të kenë armë të tilla, raporton rel.

Për armëmbajtje pa leje, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh gjoba deri në 7.500 euro ose dënim me burgim deri në 10 vjet.

Lexo edhe:  Gruaja e denoncon bashkëshortin për dhunë fizike, Prokurori e liron