Tentoi t’ua vë flakën policëve në Klinë, ky është i dyshuari që u fut në sherr dhe përfundoi në ndalim

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në rrugën “Ismail Qemali” në Klinë, ku një person u arrestua pasi tentoi t’ua vë zjarrin policëve  dhe u fut në sherr. I dyshuari ka përfunduar tashmë në ndalim policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.

Siç merr vesh Sinjali, njësia policore intervenoi në vendin e ngjarjes pasi rasti u denoncua nga babai i të dyshuarit, i cili kërkoi ndihmë si pasojë e veprimeve të të birit. Në bazë të informacioneve që posedon Sinjali, pasi Policia ka zbarkuar në shtëpinë e të dyshuarit, u përballën me një situatë të pazakontë.

45-vjeçari po dyshohet se i ka spërkatur zyrtarët policorë me benzinë dhe tentoi t’ua vë flakën, por të njëjtit arritën që ta vënin situatën nën kontroll dhe e prangosën të dyshuarin.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari për këtë rast është Driton Krasniqi, i vili është shoqëruar më pas në stacion policor, ku ka vendosur të mbrohet në heshtje.

Gjatë arrestimit të tij, policët kanë pësuar lëndime, për çka kanë marrë më pas trajtim mjekësor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Një javë pasi nisën mësimin, rrahen brutalisht dy nxënëse të shkollës ekonomike në Gjakovë (VIDEO)