Lirohet i dyshuari që e goditi për vdekje me ekskavator punëtorin në Skenderaj

Të hënën është mbajtur seanca dëgjimore ndaj të dyshuarit që u arrestua pas rastit tragjik te gurthyesi ‘Erti SH.P.K’ në Qirez të Skenderajt, ku humbi jetën 65-vjeçari Vesel Zejnullahu, i cili u godit nga ekskavatori.

Punëtori i dyshuar u arrestua po atë ditë dhe u dërgua në mbajtje.

Ndaj tij, Prokuroria ka ushtruar kërkesën për masën e sigurisë dhe si rezultat, Gjykata ka vendosur që të dyshuarit Besmir Bucolli t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Bucolli dyshohet se teksa po drejtonte ekskavatorin, e ka goditur nga pakujdesia tashmë të ndjerin, Vesel Zejnullahun, duke i shkaktuar lëndime që rezultuan të jenë fatale për të.

Trupi i pajetë i viktimës fillimisht është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa të dielën i është dhënë lamtumira e fundit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  I riu në Gjilan kapet në flagrancë me substanca narkotike, shoqërohet në Polici