Ky është shtetasi i Shqipërisë që vdiq në Kosovë

Gazeta Sinjali raportoi sonte për një vetaksident tragjik që ka ndodhur në rrugën nacionale Kosovë-Shqipëri, në fshatin Vogovë të Gjakovës ku një shtetas i Shqipërisë mbeti pa shenja jete. 54-vjeçari dyshohet se nuk i është përshtatur shpejtësisë së lëvizjes kundrejt kushteve të rrugës dhe për pasojë ka humbur kontrollin mbi veturën duke shkaktuar vetaksident.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se viktima është Arben Brahaj nga fshati Kerrnajë.

Vdekja e viktimës është konfirmuar nga ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes, derisa trupi i viktimës është dërguar fillimisht në morgun e qytetit në Spitalin Rajonal të Gjakovës e më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar togerja e Policisë, Gjyljeta Kasapi.

“Rreth orës 19:50 në rrugën nacionale Kosovë-Shqipëri drejtim i Qafës së Prushit, saktësisht në fshatin Vogovë, ka ndodhur një vetaksident me fatalitet. Një veturë është e përfshirë. Në automjet janë gjetur dokumentet e një personi për të cilin dyshohet që janë të viktimës. Viktima është shtetas i Shqipërisë. Dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur nga mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes ndaj kushteve të rrugës”, tha Kasapi.

Po ashtu, Kasapi shtoi se Ambasada e Shqipërisë është njoftuar pasi viktima ka nënshtetësi shqiptare.

Lexo edhe:  Naim Murseli punonte në kompani sigurimi, avokatja nga Suedia: Ai mund t'i merrte 850 mijë euro nëse nuk zbulohej