Ky është i dyshuari 24-vjeçar që u kap duke shitur drogë në Prizren, bastiset shtëpia e tij

Sot u raportua për arrestimin e dy të dyshuarve për shitblerje të substancave narkotike, të cilët u kapën në rrugën ‘Indrit Cara’ në Prizren. Të rinjtë janë kapur në flagrancë, njëri duke shitur e tjetri duke blerë drogë. I dyshuari për shitjen e narkotikëve ka përfunduar në ndalim policor.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që shiti një sasi të substancës narkotike është Arbër Krasniqi, i cili u arrestua bashkë me Taulant Jelliqin, i cili e bleu drogën.

Sinjali mëson se dilleri 24-vjeçar dyshohet se ka shitur marihuanën te 26-vjeçari për 10 euro. Për shkak të dyshimeve për ushtrimin e veprimtarisë së shitblerjes së substancave narkotike, Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në shtëpinë e 24-vjeçarit.

Sipas burimeve gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë të ndara në disa pako, peshore, para të gatshme dhe telefona.

Ndërkohë të dyshuarit janë shoqëruar në stacion ku janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që Krasniqi të ndalohet për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ky është pronari i barnatores “Salihaj” në Prishtinë i arrestuar gjatë aksionit të Krimeve Ekonomike