“Fëmija më janë smu, pa hangër pa pi…”/ Qytetari rrëfen tmerrin në Turqi pas mashtrimit nga ‘Peja Reiseburo’

Pushimet që kishin planifikuar t’i kalonin në një nga resortet luksoze në Antalya të Turqisë, disa qytetarëve në qytetin e Pejës u janë shndërruar në makth. Rezervimin që e bënë nëpërmjet agjensionit turistik ‘Peja Reiseburo’, doli të jetë fiktiv, pasi që në sistem nuk figuruan fare si mysafirë të hotelit në fjalë. Pronari i kompanisë, Eros Idrizaj, dyshohet se i ka mashtruar ata, duke u marrë shuma të majme parash, mirëpo duke mos kryer shërbimet për të cilat është paguar.

Pas raportimit ekskluziv, në redaksinë e Sinjalit kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët të cilët kanë rënë pre e mashtrimit, e që të mllefosur ndajnë përvojën e tyre të hidhur me agjensionin ‘Peja Reiseburo’ dhe pronarin e saj, Idrizaj.

Një nga ta ka bërë të ditur për Sinjalin se tash e dy ditë ndodhet në Turqi bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij të mitur. Për pushimet familjare ai thotë se pagoi hiç më pak se 2 mijë euro në hotelin luksoz ‘Sunmelia Resort’.

Telashet e udhëtimit, L.O. thotë se kanë filluar që para se të niseshin për Turqi, pasi që sipas tij, ai dhe familja planifikonin të udhëtonin për në Antalia më datën 11. Por pas gjithë përgatitjeve, ata janë njoftuar nga agjensioni se udhëtimi është shtyrë për datën 12 shtator. Por për ta veçse kishte filluar maltretimi, pasi që me të arritur në aeroport, L.O. me familje dhe katër familje tjera, janë njoftuar nga stafi i aeroportit se ata nuk mund të udhëtojnë, për shkak se nuk janë fare në sistem.

Kam shku me 12 më thojshin në aeroport nuk je në sistem mu edhe nja katër familjeve tjera. E kemi thiëë në ora 04:00 të mëngjesit para se mu ba nisja këtë Erosin, kam bisedu unë e babai, krejt i kemi thanë na ki lanë t’u pritë në aeroport, çka me ba se këta po thojnë që nuk jeni në sistem”, rrëfen L.O. për Sinjalin.

Lexo edhe:  Rrënqethëse: Taksisti nga Malisheva rrëfen hapur për problemet që kishte me ish-gruan e tij

Sipas të dëmtuarit, pas gjysmë orë Eros Idrizaj ka intervenuar dhe qytetarët që po prisnin në aeroport kanë udhëtuar për në Turqi, ku janë pritur nga një agjension turk të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtor të ‘Peja Reiseburo’. Por ata sërish nuk janë dërguar në hotelin për të cilin kanë paguar, por në një hotel krejt tjetër.

Kur jom shku te ai hoteli m’kanë thanë që s’ki rezervim. M’kanë lanë t’u u sillë e t’u bisedu me recepsion të hotelit deri në 6 masdite. Pa hangër, pa pi, fmitë pa gjumë”, tha ai.

Pas kësaj, ka vazhduar ‘shëtitja’ për L.O dhe familjen e tij, i cili rrëfen se Idrizaj ka kërkuar nga ai që të marrë një taksi dhe të shkojë te një hotel tjetër, ku i kishte bërë rezervimin, e që sipas qytetarit, aty mund të qëndrojë vetëm dy netë dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre pas orës 12:00 sot, kur edhe duhet ta lirojnë dhomën. Sipas tij e gjithë kjo ka shkaktuar shumë telashe për ta, pasi që edhe fëmijët e vegjël të moshave 4, 2-vjeç dhe një foshnje, janë sëmurë nga lodhja dhe maltretimi që iu është bërë.

Në bisedat të cilat i ka siguruar Gazeta Sinjali, Eros Idrizaj, shihet se vazhdimisht ka insistuar se gjithçka është në rregull nga ana e tij, por faji qëndron te sistemi ‘online’. Sipas tij sistemi ka rënë dhe nuk janë konfirmuar asnjë nga rezervimet të cilat i ka bërë ‘Peja Reiseburo’.

Idrizaj i ka garantuar L.O se vetëm një natë do ta kalojë në një hotel tjetër, ndërsa gjashtë netë tjera do t’i kalojë në ‘Sunmelia Resort’ për të cilin edhe kishte dhënë paratë.

Lexo edhe:  Aksident në Deçan, katër persona dërgohen në QKUK

Por as në hotelin ku i udhëzoi që të drejtohen, L.O me familjen e tij nuk u pranuan, pasi që as as aty nuk kishte rezervim në emrin e tyre. I revoltuar i dëmtuari kishte shkruar dhe telefonuar vazhdimisht në numrin e agjensionit, të cilët në të shumtën e rasteve nuk janë lajmëruar fare.

Loja nga agjensioni po vazhdonte edhe më tej, të cilët kësaj here kërkuan nga qytetarët që të marrin një taksi dhe të shkojnë në një tjetër hotel, ku sipas tyre ‘do hynin direkt në dhomë’. Netët të cilat do t’i kalonin në ‘Sunmelia Resort’ sa vinin e shkurtoheshin, pasi që tashmë atje kishin mbetur vetëm katër netë, ndërsa dy të tjera do t’i kalonin në hotelin ‘Riola Vitas’.

Pavarësisht insistimit të L.O. që të vendoset në hotelin për të cilin ka paguar, Idrizaj nuk ia ka mundësuar atë. L.O. i është drejtuar atij me fjalët se “s’ka para që të qëndrojë në rrugë”.

“Mos me t’lonë në rrugë, shko sonte qaty e tona flasim, vlla të kom. S’je tu ndejtë në rrugë. I pagum është”, i ishte përgjigjur Idrizaj.

L.O. nga Turqia e kishte njoftuar se do t’i dalë problem për mashtrimet të cilat i ka kryer, duke i thënë se babai i tij do t’ia dërgojë Policinë në zyrë. Pas paralajmërimeve se do të kërkojë llogari nga Idrizaj për manipulimet që i ka bërë, nga numri i kompanisë një punëtore e ka lajmëruar L.O se Idrizaj është arrestuar.

“L….., Erosin e kanë ndalë në Polici për 48 orë. Nese mundeni me bo zgjidhje deri sa të del se nuk po dimë as kode as kurrgjë”, ishte arsyetuar punëtorja e kompanisë ‘Peja Reiseburo’.

Lexo edhe:  Aksident në Klinë, lëndohen pesë persona

I dëmtuari ka deklaruar për Sinjalin se nuk do ndalet dhe do të kërkojë që Idrizaj të marrë dënimin e merituar, teksa nuk e di as vetë se çfarë do bëhet me ta në Turqi e as si do të kthehen në Kosovë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet ndaj Eros Idrizajt, nën dyshimet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Mashtrim’.

Me urdhër të prokurorit, Idrizajt i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, teksa brenda afatit ligjor pritet të merren edhe veprime të tjera ligjore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.