Këta janë 5 anëtarët e familjes Ajvazi të arrestuar për plagosjen e rojës së pyllit, zbulohet motivi

Sot u publikuan detaje nga rasti i tentim vrasjes në fshatin Gadish të Gjilanit, ku u plagos një roje i pyllit, pas një konflikti me disa anëtarë të familjes Ajvazi. Këta të fundit kanë përfunduar në prangat e Policisë dhe ndaj tyre është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Sinjali ka mësuar se ekskluzivisht se pesë të arrestuarit janë Ramush Ajvazi, Betush Ajvazi, Nehat Ajvazi, Xhafer Ajvazi dhe Demush Ajvazi.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Pjesëmarrje në rrahje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Detaje nga tentim vrasja, motivi i së cilës dyshohet të jetë një fotografi

Incidenti ka ndodhur te varrezat e fshatit, ku fillimisht 33-vjeçari që u plagos, e kishte kapur në flagrancë një të mitur me armë në dorë, për çka kishte reaguar.

Veprimi i tij, për ta paralajmëruar të miturin që si pasojë e moshës së tij, nuk ka të drejtë për gjueti, prandaj duhej të largohej, e futi atë në sherr me familjen Ajvazi.

Posa familjarët e të miturit e kuptuan që roja i pyllit e kishte fotografuar fëmijën me armë në dorë, të njëjtit i shkuan 33-vjeçarit për t’i qëruar hesapet për atë që kishte ndodhur.

Siç mëson Sinjali, pesë anëtarë të familjes Ajvazi dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht viktimën, e më pas njëri prej tyre ka eskaluar në përdorim të armës – duke e lënë të plagosur.

Denoncimi i rastit vuri në lëvizje Policinë, teksa viktima u dërgua në spital për të marrë trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që kishte pësuar.

Në anën tjetër, një njësi policore, ka kryer bastisje në shtëpinë e familjes Ajvazi, ku janë gjetur disa armë zjarri dhe dhjetëra fishekë, ndërsa edhe prova të tjera janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, me ç’rast e kanë mohuar sulmin ndaj rojës së pyllit.

Lexo edhe:  E dhimbshme: 26-vjeçari që i dha fund jetës duke kërcyer nga banesa la pas gruan dhe një fëmijë