Këta janë dy vëllezërit që tentuan t’i fusin 182 kilogramë drogë nga Serbia në Kosovë, kërkohet paraburgimi i tyre

Mbi 180 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë u kap mbrëmë në zonën kufitare me Serbinë, që synohej të futej në Kosovë nga dy persona të dyshuar, të cilët përfunduan në pranga të Policisë. Të dyshuarit, vëllezër mes vete u prangosën në flagrancë dhe tashmë ndaj tyre po kërkohet masa e paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy vëllezërit nga Gjilani që u kapën nga Policia janë Driton (30-vjeçar) dhe Yllzon Haziri (25-vjeçar).

Vlera e drogës që kap në veturën e dy vëllezërve Haziri që kishin për qëllim shitblerjen dhe shpërndarjen e saj në Kosovë dyshohet të jetë rreth 400 mijë euro.

Ndaj tyre, tashmë Prokuroria ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Për rastin ka njoftuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se dy automjete janë sekuestruar gjatë aksionit për arrestimin e të dyshuarve.

Me datën 24.10.2023 rreth orës 21:35, pas informacioneve të shkëmbyera nga Njësia e Task Forcës e Policisë Kufitare – Lindje me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në zonën kufitare RKS/SRB është ndaluar vetura e dyshuar me targa vendore e cila pas kontrollimit nga njësitë policore tek e njëjta është gjetur sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë e cila dyshohet se ishte duke u transportuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, ku në konsultim me prokurorin kujdestar janë arrestuar dy të dyshuar shtetas kosovarë, Y.H. (1998) dhe D.H. (1990), për transportim me narkotikë si dhe janë sekuestruar narkotikë në sasi prej 182 kg. të llojit marihuanë, ku vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400.000 (katërqind mijë) euro“.

Lexo edhe:  Situata në Kosovë: Britania e Madhe dërgon trupa shtesë

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.