“Kam me ta kall lokalin”/ I tha t’ia fshinte disa foto dhe video në internet, gruaja kërcënon pronarin e një ‘Mobi shop-i’ në Fushë Kosovë
Një grua ka përfunduar në prangat e Policisë dje në rrugën ‘Dardania’ në Fushë Kosovë, pasi ka kërcënuar një 20-vjeçar, i cili është pronar i një ‘Mobi shop-i’ në atë zonë.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi 48-vjeçarja kishte kërkuar nga i riu që t’i fshiheshin disa fotografi dhe video të publikuara në internet nga persona të panjohur.
Sipas pronarit të biznesit, ai e kishte fshirë njëherë materialin e publikuar të klientes së tij, por që ato ishin shfaqur sërish. Kjo ka bërë që 46-vjeçarja ta kërcënojë 20-vjeçarin me fjalët ‘kam me ta kall lokalin’, pasi që sipas saj, marrëveshja ka qenë që ato materiale të fshihen sa herë të publikohen.
Duke e parë rrezikun që i kanosej, i riu ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë, të cilët kanë arrestuar menjëherë të dyshuarën dhe e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 46-vjeçares t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ajo të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.