Incidenti në diskotekën ‘Stop’ në Gjilan: Zgjerohet pista e hetimeve, ndalohet vëllai i personit që dyshohet se tentoi të vetëvritet

Në diskotekën ‘Stop’ në Gjilan, para një jave ndodhi një rast i rëndë, ku dyshohet se një person tentoi të vetëvritet, duke pësuar lëndime të rënda trupore pasi e ka goditur veten në xhamat e dyerve. Ditën kritike, me urdhër të Prokurorit nisën hetimet për këtë rast, ndërkohë që tashmë ka edhe të arrestuar.

Sinjali ka mësuar detaje të reja për rastin, lidhur me të cilin është ndaluar vëllai i viktimës.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se gjatë procesit të hetimit, janë marrë deklaratat e disa personave që kanë qenë prezent në momentin kur ka ndodhur incidenti në këtë diskotekë.

Në mesin e tyre, është edhe vëllai i viktimës, Sh.XH., por i cili është intervistuar në cilësinë e të dyshimtit. Prokuroria ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se ka qenë i përfshirë në këtë rast, prandaj ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij.

Sinjali mëson se në këtë incident është i përfshirë edhe vet viktima, i cili po ashtu është intervistuar dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal, derisa të lirohet nga spitali ku po merr trajtim mjekësor dhe më pas të ndërmerren veprimet e tjera ligjore.

Lexo edhe:  Dhunë në një familje në Mitrovicë: Burri rrah gruan dhe fëmijët