Ndodh edhe kjo: Gjakovari i shkon disa herë te lokali një gruaje dhe e kërcënon, thotë se i përngjan dikujt që s’i pëlqen

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur në një lokal në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë, ku pronarja është përballur me një qytetar, i cili e ka shqetësuar disa herë, derisa u detyrua ta njoftojë Policinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria bëjnë me dije se viktima, pronarja e këtij lokali, e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se një person, i moshës 33-vjeçare e ka kërcënuar dhe i ka shkaktuar frikë.

Sipas saj, i dyshuari Sh.Q., i ka shkuar te lokali disa herë, duke ia goditur xhamat, me ç’rast e ka kanosur seriozisht duke i thënë “shuj se t’mys”, thotë burimi i Sinjalit.

Denoncimi i viktimës ka bërë që Policia të aktivizohet për ta kapur të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor dhe ka dhënë deklaratë mbi motivin e kanosjes. Në bazë të dëshmisë së tij është kuptuar se arsyeja që i ka shkaktuar telashe viktimës është se i përngjan me një person që nuk e ka në qejf.

Pas përfundimit të intervistimit, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të dyshuarin ta ndalojë për 48 orë dhe ndaj tij të ngritet kallëzim penal brenda afatit ligjor.

Lexo edhe:  Traktori bëhet mollë sherri për tre vëllezërit në Obiliq, bëhen llom mes vete