Hajnat bëjnë kërdi në shtëpinë e familjes Sinani, vjedhin 30 mijë euro para të gatshme

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu e ka pësuar së fundi edhe familja Sinani nga fshati Prelez i Jerlive në Ferizaj, pasi hajnat kanë thyer shtëpinë e tyre.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar pronari i shtëpisë, i cili kishte udhëtuar për në Gjermani një muaj më parë dhe u kthye vetëm pasi u njoftua nga të afërmit se shtëpia është thyer.

Bazuar në dëshminë e tij, persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë nga dritarja dhe kanë arritur që të marrin para të gatshme në vlerë të 30 mijë eurove dhe stoli ari në vlerë të rreth 1 mijë eurove.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Katër të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni