Gruaja e Agim Ramadanit: Ai ka menduar se Ukshin Hoti duhej të ishte prijësi i luftës çlirimtare
Pjesë e bisedave të Agim e Shukrije Ramadanit ishin edhe figurat politike të Kosovës.
Shukrije Ramadani tregon bisedat e saj me bashkëshortin duke veçuar dy figura politike të diskutimeve të tyre.
Gjersa rrëfen kujtimet me Agimin, bashkëshortja e tij Shukrije Ramadani ka treguar se ishte Ukshin Hoti ai i cili sipas mendimit të Agimit, do duhej të ishte prijësi i luftës çlirimtare të Kosovës.
E ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Shukrije Ramadani ka treguar bisedat e saj me bashkëshortin rreth figurave politike të vendit e ndër të cilat, veçon Ukshin Hotin e ish-presidentin, Ibrahim Rugova.
“Agimi ka menduar se Ukshin Hoti duhet të jetë prijësi i luftës çlimimtare. Kjo është arsyeja pse me Xhafën dhe Hoxhën ja nis më herët”, tregon Ramadani. “Ukshin Hoti duhet t’a ketë rolin e udhëheqësit ngase është i aftë në të gjitha aspektet…është njeri që bashkon”.
Për ish-presidentin Ibrahim Rugova, Agim Ramadani, siç tregon bashkëshortja, ishte në ‘rolin e Gandit”.
“Ngase Rugova e ka zgjedhur durimin, ai duhet t’i përmbahet asaj që para botës të dal me këtë logo. Që është me rëndësi…ndoshta bota përmes një gandizmi do na çmoj”, tregon Shukrije Ramadani gjersa citon bashkëshortin e ndjerë, Agimin.
Më 16 maj të vitit 1999, Ukshin Hoti thuhet të jetë liruar nga burgu i Dubravës. Sot e kësaj dite, ai mbetet në mesin e 1600 personave të zhdukur nga lufta e Kosovës.