Sherr në Rahovec: 49-vjeçari sulmon të riun, babai i tij e kërcënon me pushkë

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.

Një sherr ka ndodhur sot në një lokal në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 24-vjeçar. E kjo si duket e ka revoltuar babanë e këtij të fundit, i cili është përfshirë në konflikt.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se babai i të riut dyshohet se ka ekspozuar një armë në një lokal me qëllim që ta kërcënojë 49-vjeçarin që dyshohet se ia rrahu të birin.Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në pronat e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë që dyshohet të jetë përdorur në rast.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit që të dy janë dërguar në mbajtje dhe 49-vjeçari do të hetohet për veprën penale ‘Sulm’, ndërsa 52-vjeçari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Burri 40-vjeçar kërcënon ish-bashkëshorten, përfundon në pranga të Policisë së Kosovës