Qytetarit ia vjedhin kuletën me para e dokumente teksa ishte në restorant “Europa”, mbetet pa vizë pune

Vjedhjet e çantave të dorës e kuletave ndodhin shumë shpesh në vendin tonë, qoftë në rrugë apo restorante e lokale të ndryshme.

Në shumicën e rasteve, hajnat arrijnë të ikin dhe të shpëtojnë nga prangat e Policisë. Gjatë sezonit të verës, cak jo rrallëherë hajnat i kanë edhe bashkatdhetarët.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Podujevë dhe u denoncua nga një 47-vjeçar, i cili kërkoi ndihmën e Policisë, pasi dikush ia vodhi kuletën derisa ishte në restorantin “Europa” në fshatin Shtedim.

Sinjali mëson se viktima ka raportuar se në kuletën që ia ‘avulluan’, ka pasur mbi 1 mijë euro, pasaportën e dokumente tjera personale, në mesin e të cilave edhe vizën e punës.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku pas marrjes së informacioneve të para, janë siguruar edhe pamje që dëshmojnë se si është kryer vjedhja.

Personi i dyshuar ka shfrytëzuar tollovinë në restorant dhe ka arritur që ta kap kuletën e viktimës dhe të zhduket me shpejtësi.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të cilësohet si ‘Vjedhje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren pasi të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  "U parandalua një tragjedi e madhe", nga Qeveria flasin për planin e nxënësit në Pejë për t'i vrarë shokët e klasës