Policia e Kosovës ende pa sigurim shëndetësor e pa shtesa të rrezikshmërisë

Zyrtarët policorë të Kosovës, rrezikohen vazhdimisht për ta siguruar një ambient të sigurt për qytetarët e Kosovës. Përkundër këtij rreziku, ata nuk kanë ende sigurim shëndetësor. Nëse nuk do të mjaftonte kjo, atyre nuk po i paguhen shtesat e rrezikshmërisë.

Kryetari i Sindikatës, së Policisë së Kosovës, Ymer Zeqiri, ka thënë se secili zyrtarë policorë e ka obligim të ndërhyjë edhe jashtë orarit të punës në rast rreziku.

Ai tha se nga Qeveria e Kosovës, kanë kërkuar që shtesat të jenë siç kanë qenë në të kaluarën.

“Që nga muaji shkurt, 4 muaj shtesat e rrezikshmërisë nuk i kanë marrë policët. Të gjithë zyrtarët policore, të uniformuar që kanë autorizime policore, janë të rrezikuar gjatë detyrës, pa marrë parasysh ku janë në veri apo jo. Secili zyrtar, në rast se has në incident ka obligim ligjor të veproj, pa marrë parasysh a është në orar apo jo. Në asnjë mënyrë shtesat e rrezikshmërisë nuk do duhej të ndërpriteshin, edhe pse MPB dhe MF janë duke punuar që, ta bëjnë policinë të vendosin se në çfarë forme të jetë shtesa e sigurisë. Ne e kemi hartu listën, dhe ne nuk kemi kërku më shumë sa i kemi pasur”, ka thënë ai.

Ai bëri të ditur se në takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar të krijohet një sigurim shëndetësor alternativ për zyrtarët e Policisë së Kosovës.

“Jemi pa sigurim shëndetësor, që nga themelimi i policisë së Kosovës. Si sindikatë kemi adresuar disa kërkesa, kemi mbajtur takim me Sveçlën, kemi kërkuar të kemi sigurim alternativ shëndetësor sepse është i nevojshëm”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Kush është i riu që e prodhoi “aeroplanin e parë” në Kosovë?