E dhimbshme: Rrëfimi i djalit për nënën që u varros mbi një varr tjetër në komunën e Prizrenit

Në qershor, u raportua lidhur me rastin e dhimbshëm që ka ndodhur në lagjen Tusuz në komunën e Prizrenit. Lidhur me këtë rast po akuzohet 54-vjeçari, Besmir Kryeziu, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur aktakuzë për veprat penale “Dëmtim i varrezave apo kufomave” dhe “Marrje e ryshfetit”.

Pas ngritjes së aktakuzës së 54-vjeçarit, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me njërin nga familjarët që kanë ra pre e mashtrimit nga i dyshuari, Besmir Kryeziu.

F.B., djali i viktimës e cila është varrosur mbi një varr tjetër, ka deklaruar për Sinjalin se i janë gëzuar lajmit për ngritjen e aktakuzës, megjithatë Gjykata dhe Policia sipas tij e kanë lënë anash rastin e tyre.

“Normal që ndihet mirë një njeri nëse ligji funksionon drejt dhe i jepet dënim i merituar. Mirëpo unë më sa e di personi i akuzuar është lëshuar në burg shtëpiak dhe nuk di ma shumë se ku është lënda. Prindi im ka dal në gjyq, mirëpo varri i nënës ku e ka varros personi i dyshuar është ende me shiritat e policisë që 3 muaj mos më shumë, ende nuk është bërë rivarrosja”, tha ai.

Ky rast ishte denoncuar nga bashkëshorti i të ndjerës, i cili e njoftoi Policinë në qershor se Kryeziu, tashmë i akuzuar ia ka dëmtuar varrin e bashkëshortes, e cila ishte varrosur muaj më parë. Si pasojë e kësaj, në të njëjtin varr, ishin vendosur dy pllaka memoriale të vendosura me dy emra të ndryshëm.

Këtë rast, e ka rrëfyer për Sinjalin djali i të ndjerës, i cili ka dhënë detaje se si ndodhi ngjarja.

Kur nëna e F.B., ka ndërruar jetë, familjarët e tij kanë shkuar në varrezat e Prizrenit për t’i pyetur punëtorët se ku mund ta hapin një varr të ri. Besmir Kryeziu dyshohet se u ka thënë se e merr përsipër këtë çështje, pasi ka një vend të gatshëm.

Lexo edhe:  Lulzim Hetemi thotë se në zyrë ka gjetur se shqiptarët kanë bashkëpunuar me Listën Serbe

F.B., djali i të ndjerës, ka bërë të ditur për Sinjalin se e gjithë ngjarja e dhimbshme u zbulua pasi babai i tij N.B., ka shkuar që ta vizitojë varrin e bashkëshortes së tij (nënës së F.B) dhe aty ka gjetur emrin e dikujt tjetër.

Kjo ka bërë që ai të takohet me Besmir Kryeziun, për ta pyetur se si ka mundësi që në varrin e gruas së tij, të gjejë emër tjetër.

F.B., tregon për Sinjalin se i arrestuari i ka thënë që t’i jap kohë një javë dhe do e rregullojë këtë punë. “Unë merrem me këtë punë, e gjej familjen e atij që e ka qit emrin mbiemrin e tjetër kujt, nëse mundem me u marr vesh mirë, nëse jo unë e zhvarrosi i thotë prindit, gruan tënde dhe e varrosi tjetër kund”.

Përkundër që dyshohet se i mashtroi, i dyshuari Kryeziu i kishte kërkuar bashkëshortit të së ndjerës që ta mbajë të fshehtë se çfarë ka ndodhur, të mos i tregojë madje as djalit të tij.

“Prindi më mori në telefon duke qarë dhe ma tregoi ngjarjen”, rrëfen për Sinjalin F.B.

Djali i të ndjerës, në pamundësi për të qenë në Kosovë pasi jeton në diasporë, e ka dërguar dhëndrin e tij për t’i kërkuar llogari Kryeziut, i cili ka shprehur qëndrim të ashpër karshi dhëndrit të F.B., me pretekstin se “nuk ia ndin”, për atë se çfarë ka shkaktuar.

Sinjali mëson se në varrin kinse të hapur së pari herë nga Kryeziu, ka qenë i varrosur një person i cili ka vdekur 20 vite më parë. Burri i të ndjerës ka pyetur kolegë të Kryeziut, se a kanë informacione se si ka ndodhur të mos gjejnë shenja të kufomës që ka qenë varrosur 20 vite më parë.

Lexo edhe:  Papa i kërkon Zotit të ‘nxitojë’ dhe t’i japë fund luftës në Ukrainë

“Vallahi po t’kallxoj drejtë, kur e kemi hapur varrin e ri aty kemi gjetur eshtra”, i ka thënë një punëtor, por se çka ka ndodhur me eshtrat e të ndjerit të varrosur ndër vite, ende nuk dihet.

Si u zbulua familja e personit të varrosur 20 vite më parë?

Sinjali mëson se pak ditë pasi ndodhi ngjarja, familja e personit që ka qenë i varrosur më parë aty, kanë shkuar për ta vizituar varrin e babait të tyre, por gjejnë emrin e bashkëshortes, tashmë të ndjerë te N.B. Ata kontaktojnë me N.B., se si kanë varrosur dikë aty, kur ka qenë dikush tjetër.

Kjo ka bërë që N.B., ta takojë sërish Besmir Kryeziun, i cili ishte përgjigjur me fjalët “unë nuk di, nuk kom faj unë kurgjo”.

Burimet e Sinjalit mësojnë se N.B., ka kontaktuar me drejtorin e kompanisë në të cilën ka punuar Besmir Kryeziu dhe i ka thënë, ” a e ki pa çka m’ka bo”. Drejtori i është përgjigjur se nuk ka qenë rasti i parë, që dikush ka pasur ankesë të tillë për të arrestuarin, por nuk ka pasur fakte.