E bëri për spital, 60 vjeçarja e çon në polici burrin e saj pas 44 vitesh martesë: Ka një porosi për gratë

Familja konsiderohet si vendi më i sigurt dhe më i qetë për gratë. Kjo siguri dhe qetësi mund të rrezikohet në momentin që shfaqet dhuna. Ky fenomen shqetësues shkakton pasoja të mëdha psikike dhe fizike dhe si rrjedhojë shumë gra kërkojnë mbrojtje institucionale.

Në vendin tonë përditë raportohen raste të shumta të dhunës, ku viktima janë zakonisht gratë të cilat përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga partnerët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Lipjan, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici.

Sinjali mëson se viktima ka deklaruar se me të dyshuarin është e martuar tash e 44 vite dhe sipas saj, i njëjti kohë pas kohë ka sjellje agresive dhe ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj saj.

Rasti i fundit ka bërë që 60-vjeçarja të kërkojë ndihmë mjekësore në spital, si pasojë e lëndimeve që kishte marrë nga dhuna që përjetoi nga burri i saj. Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari pas një mosmarrëveshjeje verbale që kishin pasur, e ka sulmuar fizikisht duke ia dredhuar duart.

Gruaja ka kërkuar nga Policia që mos ta arrestojnë bashkëshortin e saj, pasi që nuk ndihet e rrezikuar nga ai. Gjithçka ka kërkuar ajo është që atij t’i tërhiqet vërejtja nga organet e rendit, në mënyrë që i njëjti të mos jetë më i dhunshëm.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se ndjen keqardhje për atë që ka ndodhur, teksa ka mohuar të ketë sulmuar fizikisht 60-vjeçaren.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Rrokulliset një traktor në Suharekë, pëson lëndime të rënda pasagjeri