Dhunimi i të miturës, sociologu kosovar: Një pjesë të fajit e kanë prindërit, është dashtë përkujdesje më rigoroze

Rasti i rëndë që ndodhi të shtunën e kaluar në Prishtinë, ku pesë persona dyshohet se kanë dhunuar seksualisht për rreth shtatë orë një vajzë 11-vjeçare, ka tronditur gjithë vendin. Reagime pati nga të gjithë qytetarët e krerët institucionalë, të cilët dënuan ashpër aktin çnjerëzor dhe kërkuan trajtim sa më dinjitoz të rastit. Qytetarët të cilët u mblodhën edhe në një protestë masive, kanë kanë fajësuar shtetin, duke thënë se ka dështuar të mbrojë vajzat e gratë të cilat janë viktima të dhunës seksuale.

Lidhur me rastin Gazeta Sinjali ka kontaktuar me sociologun kosovar, Bekim Selishta, i cili ka paraqitur një pasqyrë të problemit në tërësi, ku përpos organeve të rendit, ka fajësuar edhe familjen.

Selishta ka shpërfaqur në publik mendimin e shumicës së qytetarëve të cilët në heshtje thonë se një pjesë të fajit për fatin tragjik të 11-vjeçares, e bartin edhe vetë prindërit e saj. Ai si problem kryesor e ka konsideruar përkujdesjen prindërore, e cila sipas tij, lë shumë për të dëshiruar.

“Çfarë përkujdesje prindërore ka pasë, këtu është dashtë me u shtu vigjilenca e prindërve dhe shtetit nëse edhe më parë është trafiku seksualisht këtu urgjentisht është dashtë me pas përkujdesje më rigoroze nga shteti në bashkëpunim me prindërit ose mbikëqyrje nga punëtori social”, tha Selishta për Sinjalin.

Sipas tij, liria e të rinjve për të marrë pjesë në ahengje të ndryshme, ku mund të ketë edhe përdorim të substancave narkotike e alkool, është e patolerueshme. Selishta konsideron që në raste të krimit, prindërit janë bashkëfajtorë me kriminelët.

“Nëse nuk ka përkujdesje prindërore, edhe prindërit janë bashkëpjesëmarrës me kriminelët shiheni fotot në shumë koncerte e neja nate ku përdoret alkooli dhe substanca të ndryshme narkotike ku rreptësishtë ndalohen hyrja e personave nën 18 vjet”, tha Selishta.

Lexo edhe:  Xhaxhai vret aksidentalisht me çifte nipin 10-vjeçar në Shkodër

Ndërkohë ka komentuar edhe protestat pas raportimit për rastin e rëndë të 11-vjeçares, duke konsideruar që aty kanë marrë pjesë edhe persona të cilët duan të përfitojnë nga rasti, ndërsa një pjesë tjetër ka dalë nga shtytja e turmave.

“Që disa ditë rresht nuk ndalet protesta në rrugë e në rrjete sociale. Dikush dëshiron me përfitu nga rasti i një fëmije për t’i arrite qëllimet e veta të caktuara, e disa të tjerë janë dalë veç nga shtytja e turmave me dalë në foto e mos me ndërmarrë asgjë. Në realitet së paku gjatë nejave të natës mbas orës 23:00 kam parë shumë fëmijë në mesin e tyre po kurrë s’e kanë thirrë në Polici me lajmëru se pse ka aty edhe fëmijë në mesin e të rriturve etj’, tha Selishta.

Sociologu kosovar këmbëngul që fëmijët duhet të jenë vazhdimisht nën përkujdesjen e prindërve dhe të njëjtit mos të lejohen të dalin e të shëtisin vetëm rrugëve, shesheve e lokaleve.

Ai shton që është shumë e rëndësishme të dihet koha kur ka ndodhur dhunimi, pasi që sipas tij, mund të ketë ndodhur edhe herë tjera e prindërit nuk e kanë pyetur fare vajzën se ku ka qenë.

“Nuk ka rëndësi se çfarë gjendje socio-ekonomike kanë. Kujdesi për fëmijët nën moshën 17 vjeç duhet të jetë shumë më i madh!! Këtu bën mirë me cek edhe kohën e dhunimit se kur ka ndodh akti barbar sepse mundet të ketë ndodh edhe shumë hera tjera e nuk ka pyet as kush se ku ke qenë tërë natën, sepse mbas orës 19:00 ose 20:00 fëmijët në rrugë pa prind nuk duhet të lejohen vet të shëtisin rrugëve, shesheve lokaleve etj. Në shumë vende të zhvilluara çdo fëmijë nën moshën 18 ose 17 vjeç nëse shihen rrugëve vet ose në grupe pyeten nga Policia ose punëtorët social se ku i kanë prindërit dhe pse janë dalë vet në rrugë, sepse edhe nëse kanë probleme mes prindërve, problemet e mëdha munden me u ndalu ose ndal me kohë nga kjo nisje e mirë e personave adekuat, fëmijët në rrugë kanë shumë “arsye” që janë dal pa prind”, shtoi tutje ai.

Lexo edhe:  Gazetarja serbe raporton nga Prizreni: Nuk ka vend për frikë

Problem madhor, sociologu Selishta konsideron edhe përdorimin e narkotikëve, të cilën e konsideron tejet të rrezikshme. Ai thotë se shpërndarësit e drogës mund të jenë ata që keqpërdorin fëmijët për qëllime të ndryshme.