Babai i foshnjës që u fut në lavatriçe në spitalin e Pejës: Na thanë mos e lajmëroni policinë pasi mblodhën copat nga lavatriçja

Rasti i futjes së foshnjës së pajetë në lavatriçe në Spitalin e Pejës ka tronditur Kosovën. Babai i foshnjës nuk është i sigurt nëse stafi i spitalit i ka mbledhur të gjitha “copat” e foshnjës së tij, për t’ia dorëzuar më pas në një kuti për ceremoninë e varrimit. 

Prindi i foshnjës deklaron se e ka pa me sytë e tij një punonjës të spitalit teksa ka mbledhur “copat” e foshnjës pas futjes në lavatriçe.

“Ka lind normal, po të nesërmen masi kemi dashtë me marrë foshnjën, prej moskontrollit dhe papërgjegjisë së punës e kanë fut në lavatriçe edhe është i dëmtuar komplet, copa-copa e kemi pa duke i mbledh. Në maqinë sa ka nejt nuk e di, por masi e kemi marrë atë trup unë nuk e di hala a është komplet çdo gjë e tij, kompet copë-copë, sikur kafshata-kafshata”, tha prindi i foshnjës për Express.

Me datën 14 u hap rasti në polici, kemi pas me marrë në orën 12:00 me bë varrimin. E morëm foshnjën pas 5 orësh që e kemi pas të caktuar me marrë.E kemi marrë foshnjën me një kuti, në mënyrë mizore dhe e kemi dërgu për varrim. Policinë e kemi njoftu kur kemi shku me marrë foshnjën, e pam që po ikun prej përgjegjësisë dhe po na shtyjnë marrjen e foshnjës, qaty kemi dyshu. Edhe vazhduam poshtë sepse i pam lëvizjet e punonjësve aty, vazhduam prapa tyre dhe e pam që u shku njeri te lavatriçja dhe është duke i mbledhë copat e foshnjës, prej aty jemi kthy nalt në gjinekologji dhe  ekemi lajmëru rastin në polici, na bojshin motrat që mos e lajmëroni rastin. Ne e kemi lajmëru rastin ka ardhë prokuroria dhe inspektorati i Shëndetësisë” u shpreh ai.

I njëjti shtoi se foshnjën e kanë varrosur, teksa ka ftuar organet përgjegjëse që të merren me këtë rast.

Lexo edhe:  Duhet ta dini patjetër! Kjo është koha më e mirë për të mbushur makinën me karburant

Edhe pse ky rast kishte ndodhur me datën 14 dhjetor, u bë i njohur tek mbrëmë me datën 21 dhjetor.

Pas raportimit në media, Spitali i Pejës doli me një njoftim për media për suspendimin e shtatë punonjësve të tij.

I kontaktuar nga Gazeta Express, zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti tregoi pozitat e punës së punonjësve të suspenduar.

“Në mesin e të suspenduarve janë katër mami, dy punëtorë të shërbimit teknik dhe një pastruse”, tha Sahiti për Express.

I njëjti tha se rasti është në hetim nga spitali dhe prokuroria, duke mos e përjashtuar mundësinë edhe për suspendime të reja.

Foshnja dyshohet se kishte lindur pa shenja jete në javën e 32-të, teksa spitali tha se hetimet po bëhen në drejtim të “mënyrës se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët”.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me kryetarin e Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj nëse pritet të ndërmarrin ndonjë veprim për 4 mamitë e suspenduara.

Rrustemaj tha se nga Spitali i Pejës i ka kërkuar emrat e katër mamive dhe vendimi për to pritet të merret nesër në orën 14:30.

“E kam thirr spitalin me mi dergu emrat dhe e kam thirrë prokurorin e Odës mi vazhdu procedurat sipas ligjit. Emrat ende nuk mi kanë dërgu. Nesër në orën 14:30, merr vendim prokurori i odës”, tha Rrustemaj për Gazetën Express.

Rrustemaj tha se në kësi raste, “licencën e revokojmë varësisht prej shkeljeve dhe i fshijmë nga lista e Odës”.

Prokuroria e Pejës ka konfirmuar nisjen e hetimeve, por nuk ka treguar nëse pritet ndalimi i ndonjë nga personat e përfshirë në rast.

Lexo edhe:  Reperi i njohur vdes gjatë performancës

Qytetarët kanë kërkuar një shpjegim nga Ministria e Shëndetësisë e SHSKUK-ja. Kjo e para disa orë pritje ka dalë me një reagim për të treguar se është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.

MSh ka vlerësuar se në këtë rast “ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”.

Tutje, MSh ka shpreh keqardhje për rastin e ndodhur në Spitalin e Pejës.

Njoftimi i plotë i MSh-së:

Sot pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve të rastit të rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, z. Shaban Osmanaj.

Në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor.

Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ripërsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garandatohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale.

Në të njejtën kohë shprehim mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi.

Ndërsa u. d. Ministrja e Shëndetësisë ka marrë të gjitha hapat për përgjegjësitë administrative dhe çështja po vijon të trajtohet deri në sqarimin përfundimtar.

Lexo edhe:  Kërkesa e avokatit për kafeteritë e Pejës: Nderojeni Gjiklen duke lëshuar muzikë të tij

Ai rrëfeu se kishte shkuar për ta marrë trupin e pajetë të foshnjës në orën 12:00 me datën 14 dhjetor, por arritën ta marrin vetëm pas insistimit prej pesë orësh. E pasi e kanë marrë, ai deklaron se infermieret në Gjinekologji e kanë rekomanduar që mos ta lajmërojë rastin në polici.