Deputeti i VV-së dhe zëdhënësi i Qeverisë që u dënuan me burg, e lidhin me Serbinë gjyqtarin që është djalë dëshmori
Pas vendimit për dënim me burg ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Egzon Azemi, dhe zëdhënësit të Qeverisë, Arlind Manxhuka, kanë ardhur reagime të ashpra nga të dy, duke e ndërlidhur çështjen me ndikimin e Serbisë.
Deputeti Azemi reagoi menjëherë pas vendimit, duke deklaruar se “çantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën”, ndërsa shtoi: “Rroftë Republika e Kosovës, turp atyre që lirojnë kriminelë serbë e neve na dënojnë veç pse reagojmë!”.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe zëdhënësi Manxhuka, i cili pas dënimit theksoi se ndikimi i Serbisë në veri është luftuar dhe çmontuar gjatë mandatit aktual. “Natyrisht, kemi qenë të bindur që do të prishen shumë interesa. Por, jemi ballhapur… përpara, vazhdojmë”, u shpreh ai, duke shtuar se zhvillimet e fundit lidhen me përplasje interesash të krijuara ndër vite.
Ndërkohë, vlen të theksohet se vendimi për dënim është marrë nga gjyqtari Kushtrim Shyti, i cili është djali i dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti.

