Arrestohet kunata që dyshohet se vrau të moshuarën në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarën për vdekjen  e 67-vjeçares S.D., në fshatin Kuk të Komunës së Dragashit.

E arrestuara është kunata e viktimës. Prokuroria tha se ka arritur të sigurojë prova materiale relevante lidhur me rastin, që sipas tyre, vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës.

“Në rastin konkret e njëjta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, njoftoi Prokuroria.

Policia e Kosovës njoftoi të martën se bazuar në të dhënat e policisë ka qenë një rast i hapur i dhunës në familje.

Përmes një komunikate për medie, policia njoftonse më 26 dhjetor 2022, ora 05:00, policia ka marrë informatën se në fshatin Kuk, ka ndërruar jetë një grua e moshës 67-vjeçare (S.D).

Sipas policisë, trupi pajetë është gjetur në shtëpinë e saj në fshatin Kuk.

“Pasi që e njëjta më herët e ka pas të raportuar një rast dhunë në familje dhe bazua dhe në ankesën e një qytetari, nga policët hetues nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor Dragash, në konsultim me prokurorin dhe më pas me urdhër të prokurorit kujdestar është vendos që viktima të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim nga mjekët specialistë për të konstatuar shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Qetësohet situata në veri të Mitrovicës, një numër i vogël i qytetarëve ende të grumbulluar në Zveçan