Policia kontrollon barnatoret në Prizren, gjenden barna pa banderola të fshehura mbrapa rafteve në një farmaci

Hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në një barnatore në Prizren kanë gjetur barna pa banderola të cilat kanë qenë të fshehura mbrapa rafteve.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se hetuesit kanë zhvilluar një aksion në rajonin e Prizrenit, ku kanë kontrolluar 10 barnatore të dyshimta se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola.

Në këtë aksion policia ka arrestuar pronarin e barnatores ku janë gjetur barnat pa banderola.

Postimi i plotë:

Policia në Prizren zhvillon operacion policor në bashkëpunim me Doganën dhe Inspektorët Farmaceutik

Hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, sot më 07.04.2023 kanë zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prizrenit. Në realizim të këtij operacioni, janë kontrolluar 10 subjekte – barnatore, për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë kontrabanduar dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Operacioni ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Anti-kontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.

Në njërën nga barnatoret është gjetur një sasi e barnave pa banderola të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve të lokalit. Barnat pa banderola janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, kurse hetuesit policorë e kanë shoqëruar një person të dyshuar në Stacionin Policor në Prizren si pronar i disa barnatoreve të cilat janë kontrolluar.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës. Pas intervistimit është njoftuar prokurori kujdestar nga PTH-Prizren i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’ dhe ‘tregti e ndaluar’, kurse i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Tmerrohet 61-vjeçarja në Prishtinë: Hajni ia vjedh zinxhirin e arit nga qafa dhe zhduket