Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij në Gradicë të Drenasit

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi, të cilët po akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore kanë privuar nga jeta të miturin A.M, 15 vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Një deklarim i tillë u bë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të prokurorisë speciale, Bashkim Zeqaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, seanca gjyqësorë vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit Zeqaj, i cili dorëzoi me shkrim fjalën e tij hyrëse dhe ndër të tjera deklaroi se nga provat e administruar në këtë çështje penale është dëshmuar së të njëjtit e kanë kryer veprën penalë me të cilën po ngarkohen.

Fjalën e prokurorit e mbështeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar Selvete Muja, avokati Ndrec Dodaj ku po ashtu shtoi se do ta paraqesin edhe kërkesën pasurore-juridike dhe të njëjtën do ta kërkojnë në procedurë tjetër apo varësisht prej vendimit të gjykatës.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku në fjalën e tij hyrëse potencoi se cilësimi i veprës penale nuk është i saktë.

Ai tha se aktakuza do të rezultoi me dy pika, se është kryer vepra penale vrasje e kryer nga pakujdesia ndaj të miturit A. M dhe lëndim i rëndë trupor ndaj të ndjerit B. M .

“Sa i përket vdekjes në mënyrë të dhunshme të B.M, që për pasojë më parë pësoi lëndime të rënda trupore nga data 05.04.22021 e që humbi jetën në QKUK pas 10 dite me datën 15.04.2021, që do të thotë se nuk janë konsumuar elementet e veprës penale që i vë në barrë kjo akuzë”, shtoi avokati Millaku.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Amir Bardhi, avokati Agron Hoti theksoi se prania e të mbrojturit të tij në vendin e ngjarjes nuk do të thotë se i njëjti është edhe kryerës i veprës penale me të cilën akuzohet sipas prokurorisë.

Lexo edhe:  Deputeti i LVV-së tallet më mësimdhënësit, i krahason me pula

Pas përfundimit të fjalës hyrëse nga palët në procedurë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi tha se avokati Haxhi Millaku ka njoftuar paraprakisht gjykatën se i njëjti ka probleme shëndetësore dhe me pëlqimin e palëve të tjera seanca e sotme u ndërpre.

Ndryshe, në këtë seancë, nuk ishte i pranishëm dëshmitari Fisnik Bardhi, i cili do të njoftohet edhe një herë me ftesë të rregullt për seancën e radhës.

Seanca e radhës për këtë çështjen penale u caktua për 3 tetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.

Aktakuzë thotë se, të njëjtit kanë vënë në rrezik dhe jetën e personave tjerë, të dëmtuarave Valdrin, Valmir dhe Driton Muja, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Amir Bardhi ka qenë duke ecur rrugës së malit bashkë me djalin e axhës së tij, dëshmitarin Fisnik Bardhi, aty takohen me të dëmtuarin Valdrin Muja i cili ka shkuar nga mali, vendi ku ka qenë duke prerë dru, për ta marr traktorin dhe për të ngarkuar drutë të cila kanë qenë duke i prerë në mal.

Më pas, aktakuza thotë se Amiri e ka pyetur Valdrinin se çka jeni duke bërë, i njëjti i tregon se jemi duke prerë dru në mal dhe më pas i dëmtuari Valdrin vazhdon rrugën në drejtim të vendit ku kanë qenë duke prerë dru, ndërsa Amiri dhe Fisniku po ashtu ndahen.

Lexo edhe:  Qytetet dhe fshatrat që mbesin pa energji elektrike

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Amiri nëpërmjet telefonit e njofton të pandehurin Xhafer se të dëmtuarit janë duke prerë dru në mal të cilët bisedojnë për 62 sekonda.

I pandehuri Xhafer i cili ka qenë në shtëpi, i merr dy drita për ndriçim të cilat vendosen në kokë, merr armën-pushkën e gjuetisë dhe nisët më veturën e tipit “Golf 2” e rrugës bëhen bashkë të dy të pandehurit dhe vazhdojnë në drejtimi të vendit ku të dëmtuarit kanë qenë duke prerë dru.

Aty, i pandehuri Amiri thuhet se ka kontribuar në kryerjen e veprës penale, duke ndriçuar me njërën për të krijuar mundësinë për gjuajte të pandehurit Xhafer, e po ashtu edhe i pandehuri Xhafer ka ndriçuar me njërën dritë dhe menjëherë ky i fundit ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit tani të ndjerit A.M i cili në atë moment bërtet “babë më rroki”.

Pastaj, kur i ndjeri B.M dhe i dëmtuari Valdrin shkojnë në drejtim të A.M për t’i dhënë ndihmë, atëherë i pandehuri Xhafer prapë shkrep dhe e qëllon tani të ndjerin B.M në kokë, ku më pas i thotë të pandehurit Amir “ikim birë se u bo m**”.

Aktakuza thotë, se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja të vogla me të cilat i kanë rrezikuar edhe të dëmtuarit Valdrin,Valmir dhe Driton Muja, të cilët kanë qenë prezent duke prerë dhe bartur dru, ku këta dy të fundit janë alivanosur pas dy të shtënave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për të ndjerin A.M në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas konstatohet vdekja e tij, ku vdekja e tij është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme si pasojë e veprimit dinamik të predhave të hedhura nga arma e gjuetisë.

Lexo edhe:  Një zog shpëtoi një familje të tërë nga tërmeti në Turqi, nisi të bënte tinguj të çuditshëm para se të ndodhnin lëkundjet

Ndërsa, i ndjeri B.M pëson lëndime të rënda trupore ku më 15 prill 2021 ndërron jetë në QKUK edhe ai si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.

Me këtë të pandehurit Bardhi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, i pandehuri Xhafer në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën-pushkën e gjuetisë të cilën e ka punuar vet.

E me këtë, i pandehuri Xhafer Bardhi akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.