E trishtë: Ky është 26 vjeçari që u godit për vdekje në aksidentin te ministria e Arsimit

Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ku një këmbësor është goditur për vdekje nga një veturë, raporton Gazeta Sinjali.

Këmbësori që mbeti i vdekur si pasojë e aksidentit është Shkumbin Hebibaj, 26 vjeçar nga Deçani, mëson Gazeta Sinjali.

Për rastin ka folur edhe Policia, e cila ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se shoferja e veturës është shoqëruar në stacion policor.

“Sot rreth orës 12:40  kemi pranuar informatën se në rrugën  “Agim Ramadani” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet.

Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti  ka ndërruar jetë.

Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja automjetit është shoqëruar në stacion policor”.

Gazeta Sinjali mëson se për aksidentin është ndaluar e dyshuara Y.Berisha, të cilës i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Masën e ndalimit e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Ju njoftojmë se lidhur me aksidentin që ndodhi sot në rrugën ‘Agim Ramadani’, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarës, për veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik’ (me fatalitet)”.

“E dyshuara është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48-orësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Miqtë e tij kanë shpërndarë fotografitë e të riut, ku shprehen të tronditur për vdekjen e 26 vjeçarit.

Lexo edhe:  E shpërndanë si sukses: Vdes pacienti disa orë pas operacionit në Kardiokirurgji tek i cili u krye intervenimi i rrallë