“Kam dyshime të mëdha”, babai i Marigonës flet pas anulimit të vendimit për dënimin e Dardan Krivaqës
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me akuzat për vrasjen e Marigona Osmanit, duke anuluar kështu vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, e cila Krivaqën e kishte dënuar me burgim të përjetshëm e Sejdiun me 15 vjet burgim.
Lidhur me këtë vendim, ka folur Muhabi Osmani, babai i te ndjerës Marigona Osmani, i cili tha se vendimi i Apelit është vendimi më skandaloz që ka ndodhur në Kosovë, duke e ditur se vrasja e Marigonës ka qenë një ndër vrasjet më mizore mbas luftës në Kosovë.
Ai tha se nuk e ka pritur se çështja e vrasjes së Marigonës do të kthehet në rigjykim.
“Janë duke na shtyrë në një situatë që na ta marrim vetë ligjin në dorë gjë që nuk e kemi preferuar”, tha ai.
“Me këtë vendim për rigjykim po na lindin dyshimet që avokatët e të akuzuarve janë sekserë të njohur”, theksoi Osmani për RTK.
“Unë kam dyshime të mëdha, sepse Gjykata ka prova të mjaftueshme për të dy të akuzuarit të cilët janë të involvuar direkt në vrasjen e vajzës sime. Unë mendoj se ka implikacione të mëdha në Gjykatën Apelit, sepse janë dy familje të forta të cilët kanë njerëz ne polici edhe në drejtësi” shtoi babai i të ndjerës.
Ndryshe, në njoftimin e Apelit thuhet se Krivaqa dhe Sejdiu do të mbeten në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë.