Hajnat e bëjnë ‘qyl’ shtëpinë e mërgimtarit në Ferizaj, vjedhin 9 mijë euro para të gatshme
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. E cak i hajnave shpeshherë janë edhe shtëpitë e mërgimtarëve, të cilat në Kosovë mbesin të mbyllura në shumicën e muajve të vitit.
Njëjtë e ka pësuar shtëpia e familjes Rama në Ferizaj, pronari i të cilës jeton jashtë vendit. Shtëpia e tyre u thye nga hajnat të cilët arritën të vjedhin një shumë të majme parash.
Sinjali mëson se rasti u zbulua pasi babai i viktimës shkoi deri të shtëpia për të marrë diçka dhe e gjeti, të të demoluar dhe si rrjedhojë njoftoi menjëherë Policinë e Kosovës.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se hajnat kanë avulluar nga shtëpia e mërgimtarit hiç më pak se 9 mijë euro, para të gatshme.
Njësitë policore kanë kryer në vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.