Arrestohet kirurgu Luan Mustafa, dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij në Spital

Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Luan Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit.

Hashani tha se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 14:02 dhe është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”

“Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjiës është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.I dyshuari është larguar nga vendngjarja. Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshimti ndalet për 48 orë në mbajtje gjersa rasti cilësohet “Lëndim i lehtë trupor”, tha Hashani.

Ai konfirmoi se rrethanat e rastit po hetohen nga Policia e Kosovës, stacioni policor në Gjilan.

Lidhur me rastin, kirurgu Arbër Morina ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se sulmi ndaj tij ka ndodhur në zyrën e tij, disa minuta pas përfundimit të një ndërhyrjeje kirurgjike ndaj një pacienti.

Ai tregoi se me të hyrë në zyrën e tij menjëherë ka hyrë edhe kirurgu Mustafa, i cili sipas tij edhe e ka sulmuar fizikisht.

“Ai (kirurgu Luan Mustafa) më ka prit derisa kam dalë prej sallës, më ka ndjekë derisa kam hyrë tek zyra ime dhe më ka sulmu fizikisht. Nuk më ka shkuar mendja që dikush mundet me më sulmu fizikisht për shkak se unë po e bëj një punë të mirë në Kirurgji dhe nuk e kam mendu këtë pjesë. Unë kam tentu me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmu fizikisht derisa kanë ardhë kolegët e spitalit”, rrëfen Morina për “Betimi për Drejtësi”.

Lexo edhe:  Mungesë e energjisë elektrike në këto vende

Ai dyshon se rrahja erdhi për shkak të raportimeve të tij ndaj kirurgut Mustafa, pasi që sipas tij, ky i fundit disa herë ka thyer rregullat e spitalit, dhe se për këto shkelje drejtori i përgjithshëm i Spitalit, Arsim Emini, i ka njoftuar se do ta dërgojë në Komisionin Disiplinor.

“Evidentimin e problemeve e kam bërë me shkrim për çdo shkelje të mundshme. Thyerja e rregullave të punës, mospërmbajtja e rregullave profesionale mjekësore, orarit të punës. Unë i kam raportuar, të gjitha ato ju kanë grumbullu atij (Luan Mustafës) dhe në momentin që drejtoria i ka thënë që ka me u përballë me Komision Disiplinor, ai ka ardhë në zyrën time dhe më ka sulmuar”, ka thënë Morina.