Dhunë në një familje në Prishtinë, burri e bën bashkëshorten për spital

Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje.

Bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes në shumë raste ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre.

Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift nga fshati Bardhosh i Prishtinës, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se 57-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku është ankuar se i shoqi e ka sulmuar fizikisht pas një konflikti verbal.

Si pasojë e kësaj, viktima ka marrë lëndime trupore dhe të njëjtës i është ofruar tretman mjekësor.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Bie në prangat e Policisë i dyshuari për vjedhjen e 200 mijë eurove në Teqenë e Madhe në Gjakovë