Shoferi i ‘Postman’ tmerrohet në Viti: Qytetari i maskuar e me armë ia grabit porosinë e 300 eurove

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet.

Ndër rastet e shpeshta janë grabitjet e punëtorëve të postave të shpejta, të cilët përballen me hajnat që paraqiten si klientë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu e ka pësuar edhe një shofer i postës “Postman” në Gjilan, i cili është grabitur në fshatin Qifllak të Vitisë, ku e dërgoi një porosi me veshmbathje, në vlerë të rreth 300 eurove.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se posa shoferi ka arritur në adresën që i është dërguar është takuar me një person, që i doli si i maskuar dhe fillimisht u paraqit si i “pakënaqur me porosinë”.

Por kjo siç duket ishte pjesë e planit për t’i grabitur gjësendet që i kishte dërguar postieri. Sinjali mëson se i dyshuari ia ka marrë porosinë shoferit dhe më pas ka ekspozuar një armë, duke e kërcënuar që të largohej nga aty.

Përballë kësaj situate, viktima ia ka mësyrë menjëherë Policisë, ku e ka denoncuar rastin dhe ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Lexo edhe:  Zbulohet kush është i dyshuari që vodhi 500 euro në një xhami në Suharekë